Në një takim të organizuar në sallën COD, pranë Kryeministrisë, nga Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ekspertë vendas dhe të huaj trajtuan çështjen e mbrojtjes së të dhënave në ekonomitë digjitale.

Në qendër të diskutimeve u fol për nevojën e vendosjes së një dialogu për forcimin e ndërgjegjësimit dhe rritjen e gatishmërisë të të gjithë aktorëve të përfshirë në ekonominë digjitale, për t’u përballur me sfidat në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale dhe njëkohësisht, duke promovuar besimin e konsumatorit në tregun digjital.

Për eksperiencën e deritanishme të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, drejtoresha e portalit qeveritar e-Albania, znj. Nevila Repishti foli gjerësisht për praktikën e ndjekur në 5 vitet e fundit. Drejtuesja e e-Albanias vuri në dukje se çdo qytetar që regjistrohet në portalin qeveritar, jep pëlqimin ose miratimin e tij për përdorimin e të dhënave personale, të cilat përpunohen në përputhje të plotë me Ligjin e Mbrojtjes së të Dhënave Personale.

“Të dhënat personale të të regjistruarve ruhen në sistemin e portalit vetëm me lejen e përdoruesit. Detajet e ruajtura ne portal përpunohen nga administratori i portalit dhe ofruesit e shërbimit vetëm për qëllime të ofrimit të shërbimeve elektronike”, u shpreh znj. Repishti.

AKSHI, si administrator i portalit unik qeveritar, – vijoi më tej drejtuesja e e-Albanias, –  nuk i transmeton të dhënat personale të personave të regjistruar në portal palëve të treta. Në rast të transmetimit te tyre, çdo person që pretendon se i janë shkelur të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshme për të dhënat personale, ka të drejtë të ankohet ose të njoftojë Komisionerin dhe të kërkojë ndërhyrjen e tij për vënien në vend të së drejtës së shkelur.

Përgjatë 5 viteve, kur numri i sistemeve nën administrimin e AKSHI-t është rritur, njëkohësisht është rritur edhe nevoja për modernizimin e vazhdueshëm të nivelit të sigurisë, pasi të gjitha infrastrukturat për të cilat bëhet fjalë janë të një rëndësie madhore.

Në strukturat e AKSHI-t, një ekip ekspertësh punon për mbrojtjen e sistemeve qeveritare nëpërmjet sistemeve te sofistikuara, për t’iu përgjigjur shpejt dhe efektivisht incidenteve që prekin sigurinë e tyre ose infrastrukturave qeveritare, si dhe për të monitoruar dhe analizuar në kohë reale sulmet e mundshme ndaj sistemeve.

Veprimtaria dhe zgjidhjet teknike të AKSHI-t, lidhur me ofrimin e mbrojtjes për sistemet dhe për të dhënat e përdoruesve të portalit, janë të bazuara në standardet dhe politikat ndërkombëtare, në përputhje me nivelet botërore të sigurisë.

AKSHI, sot është një strukturë e fuqishme për sigurinë e informacionit dhe dëshmon se sistemet e hostuara pranë tij janë të sigurta teknikisht jo vetëm nëpërmjet infrastrukturave të ndërtuara, por edhe prej politikave të mirëpërcaktuara institucionale.