10Jan

AKSHI krijon platformën “Infermierë për Shqipërinë”

 

Në një aktivitet promovues zhvilluar pasditen e 10 janarit, u prezantua platforma “Infermierë për Shqipërinë”, e cila do t’u vijë në ndihmë infermierëve dhe profesionistëve të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, në Shqipëri, që të aplikojnë online për punësimin e tyre, duke eliminuar maksimalisht çdo lloj forme korrupsioni apo abuzimi dhe duke vepruar tërësisht në bazë të meritave individuale të çdo aplikanti.

Platforma është ngritur teknikisht nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, e cila do të vijojë mirëmbajtjen gjatë funksionimit të sistemit. Ministrja e Shëndetësisë, znj. Ogerta Manastirliu nxori në pah përfitimet që do të sjellë kjo platformë për të rinjtë që kërkojnë të integrohen në tregun e punës, duke u shprehur: “Transparenca dhe merita ishin shtysa jonë kryesore për ndërtimin e Platformës “Infermierë për Shqipërinë”, që po e prezantojmë sot, të krijuar më shumë profesionalizëm nga ekspertët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit”.

Në aktivitet, ishin të pranishëm Kryeministri i vendit, z.Edi Rama, ministrja e Shëndetësisë, znj. Manastirliu, zyrtarë të tjerë të sektorit të shëndetësisë, infermierë, mjekë, studentë etj.

Nga ana e tij, z. Rama e vlerësoi platformën, si mundësinë e vetme të punësimit për infermierët, duke e konsideruar dritare të re që do të ofrojë jo vetëm mundësi punësimi reale sipas një sistemi transparent te vleresimit të meritës, por mbi të gjitha do të sigurojë që kurrë më infermierët të mos ndahen sipas partive e as të fitojnë apo humbasin vendin e punës për shkak të partive.

“Sot, aktualisht janë 420 vende vakante. Ne kemi refuzuar t‘i mbushim vendet vakante me ndërhyrje nga poshtë, nga anash e nga lart, pasi përgatiteshim pikërisht për këtë proces. Nëse do të ishte e vërtetë që ne nuk e kemi këtë vullnet, sot nuk do të kishte vende vakante. Askush nuk na ka penguar, as ligji dhe as ndonjë forcë madhore që ne të refuzojmë emërime të mëtejshme infermierësh, pas fillimit të procesit të ri qeverisës, përveç vullnetit tonë që jo nuk mundet dot t’ia besojmë partisë rekrutimin e një pjese esenciale të shërbimit mjekësor, siç janë infermierët, por duhet t’ua besojmë atyre që janë më të aftët e që janë në pritje për të marrë një punë si infermierë. E që t’ua besojmë siç duhet, duhet t’i vlerësojmë në bazë të meritës dhe meritën e tyre nuk mund ta vlerësojë partia dhe nuk e përcakton fakti se e njohin, apo nuk e njohin deputetin, e njohin, apo nuk e njohin kryetarin e partisë në zonë, kanë, apo nuk kanë njohje me një kushëri të ministres e kështu me radhë, por vetëm pikët që do të marrin në testimin transparent, që do të organizohet sipas gjithë procedurave, të publikuara tanimë, nga Ministria e Shëndetësisë”, u shpreh z. Rama.

Por si do të funksionojë platforma http://infermierepershqiperine.al/?

Nevojiten vetëm 4 hapa për të aplikuar:

–   Regjistrohu

–   Ngarko dokumentet

–   Kërko vendet vakante

–    Apliko

Aplikimi kryhet për vendet e lira në bazë qarku. Të interesuarit mund të aplikojnë për të gjitha vendet e lira në qark për pozicionet e punës në qendra shëndetësore apo në spitale.

Pas aplikimit bëhet vlerësimi i dosjes dhe kandidatët që e kalojnë këtë fazë të parë, njoftohen për testimin me shkrim.

Shpallja e datave të testimit bëhet publike në platformë dhe kandidatët njoftohen elektronikisht për datën dhe vendin e testimit.

Testimi do të ketë dy pjesë:

– Pyetje rreth bazës ligjore që rregullojnë kujdesin shëndetësor, çështjet që lidhen me etikën dhe komunikimin e infermierëve (20 pikë);

– Pyetje rreth kujdesit infermieror bazë dhe specialiteteve (50 pikë).

Pas testimit, pikët e grumbulluara për secilin aplikant shpallen në platformë në rubrikën ‘Shpallje’ dhe fituesit lajmërohen për të ndjekur procedurën për punësim sipas renditjes në listën e shpallur për çdo qark.

Në bazë të renditjes së shpallur kush merr më shumë pikë do të ketë mundësinë e zgjedhjes për punësim në shërbimet e kujdesit parësor apo spitalor.