Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.703, datë 29.10.2014, pika 3, shkronja “c” ku shprehimisht thuhet se:

“Përcakton standardet e TIK-ut, bazuar në standardet ndërkombëtare dhe evropiane, të adoptuara, që do të ndiqen nga administrata shtetërore. Këto standarde botohen në Buletinin e Njoftimeve Publike”

Në kuadër të hartimit të Specifikimeve Standarde për TIK për vitin 2018, fton të gjithë grupet e interesit të marrin pjesë në këtë proces duke shprehur komentet e tyre lidhur me specifikimet teknike Standarde brenda datës 12.12.2017. Sugjerimet dhe komentet mund të dërgohen në adresën e e-mail-it info@akshi.gov.al ose me postë pranë AKSHI-t në adresën  Rr. Papa Gjon Pali i II, Nr 3, 1003 Tiranë.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, në vijim të procesit të hartimit të Specifikimeve Standarde për TIK për vitin 2018, fton të gjithë grupet e interesit të marrin pjesë në takimin që do të zhvillohet ditën e premte datë 22.12.2017, ora 12:00 pranë zyrave të AKSHI-t  në adresën  Rr. Papa Gjon Pali i II, Nr 3, 1003 Tiranë,  për të diskutuar rreth këtyre standardeve.

 

Në ambientet e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit këtë të mërkurë u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes kreut të AKSHI-t, znj. Mirlinda Karçanaj dhe Presidentes së Dhomës së Noterëve, znj. Mimoza Sadushaj.

Prej sot, noterëve në mbarë vendin u hapet rruga ligjore që t’u vijnë në ndihmë qytetarëve dhe biznesit për përfitimin e shërbimeve publike të shtetit shqiptar, duke patur kështu një rol të ri në portalin qeveritar e-Albania.

Znj. Karçanaj u shpreh se qytetarët shqiptarë tashmë çlirohen nga detyrimi për të paraqitur një certifikatë personale apo familjare, kur paraqiten para një noteri për të marrë një shërbim ligjor prej tyre.

“Noterët e mbarë vendit do t’i verifikojnë të dhënat për qytetarin që iu është paraqitur në zyrën e tyre,  në kohë reale përmes Portalit e-Albania. Marrëveshja u mundëson noterëve të ndihmojnë qytetarët për aplikime në shërbime të ndryshme elektronike të ofruara përmes portalit e-Albania”, u shpreh kreu i AKSHI-t.

Znj. Karçanaj përgëzoi znj. Sadushaj për gatishmërinë e treguar dhe falenderoi të gjithë noterët e vendit, duke shprehur sigurinë se ata do të përqafojnë këtë zhvillim cilësor që do të lehtësojë punën e tyre, e njëkohësisht do ofrojë lehtësi për qytetarët dhe bizneset.

Presidentja e Dhomës së Noterëve, znj.Sadushaj vlerësoi maksimalisht arritjen e marrëveshjes, duke e konsideruar një zhvillim cilësor në punën e përditshme të noterëve.

Me nënshkrimin e marrëveshjes rregullohet pozita ligjore e noterëve në përdorimin e të dhënave që gjenerohen nga portali, për qytetarët që kërkojnë të marrin një shërbim prej tyre. Në momentin kur një qytetar kërkon të kryejë një procedurë të caktuar në zyrën e noterit, nuk ka më nevoje të ketë me vete certifikatën familjare apo një sërë vërtetimesh e certifikatash të tjera, pasi është vetë noteri i cili duke aksesuar portalin, siguron në kohë reale të dhënat për të.

Javët e ardhshme, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit do të organizojë trajnime për noterët, në mënyrë që ata të jenë aftë dhe të gatshëm për t’u shërbyer qytetarëve.

Ky është një tjetër hap progresiv që shënon AKSHI, institucioni përgjegjës për administrimin dhe menaxhimin e portalit unik qeveritar e-Albania. Aktualisht në portal ka mbi 520 shërbime elektronike tërësisht në funksion të individit dhe biznesit. Risia më e fundit në portal u regjistrua tre muaj më parë, me hyrjen në fuqi të vulës dixhitale, që iu bëri të mundur qytetarëve dhe biznesit të shkarkojnë online nga portali, një sërë dokumentesh me vlerë të plotë ligjore.

 

Një tjetër premtim i mbajtur për lehtësimin e procedurave për qytetarin dhe biznesin në marrjen e shërbimeve që ofrohen sot nga shteti shqiptar.

Në Vendimin e Këshillit të Ministrave marrë në mbledhjen e parë të këtij mandati të qeverisë, i është hapur rruga marrjes online të dokumenteve me vulë institucionale, duke patur vlerë ligjore të njëjtë si dokumentet në letër.

Në bazë të vendimit, dërgimi dhe pranimi i të dhënave kryhen në përputhje të plotë me legjislacionin që rregullon identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara, ndërsa vulosja e dokumenteve administrative elektronike, të gjeneruara nga transmetimi elektronik, garanton autenticitetin e dokumentit në formatin elektronik.

Si është procedura e përfitimit të dokumenteve me vulë elektronike?

Marrja e dokumenteve që përmbajnë vulën elektronike kryhet përmes identifikimit elektronik, në portalin e-Albania, duke gjeneruar dokumentin administrativ elektronik.

“Dokumenti i gjeneruar është i pajisur me vulë elektronike, e cila i bashkëlidhet dokumentit menjëherë pas gjenerimit të tij, ose në pikën fundore të portaleve qeveritare, në formatin PDF, përpara se të mundësohet përfitimi i tij nga aplikuesi”, thuhet në VKM-në e njohur ndryshe si Vendimi për Vulën Dixhitale.

Në vendim, saktësohet se vula elektronike i përket vetëm institucionit lëshues të dokumentit dhe aksesin mbi të e ka vetëm ky institucion.

Në terma më praktikë, tashmë procedurat janë më të thjeshta dhe veprimet e kryera online përmes një kompjuteri, tableti apo smartphone, gjithnjë duke përdorur portalin unik qeveritar e-Albania, mundësojnë shkarkimin në kohë reale të dokumentit me vlerë ligjore, dokument të cilin më parë qytetarët dhe bizneset e merrnin vetëm pasi qëndronin për orë të tëra në radhë nëpër sportelet fizike të institucioneve shtetërore.

Por cilat janë disa nga shërbimet elektronike të pajisura me vulë elektronike që ofrohen aktualisht nga institucionet përmes portalit e-Albania?

Vërtetim pensioni

Karta e shëndetit

Informacion zyrtar i pasurisë për individët dhe institucionet

Lëshim vërtetimesh (negativ/pozitiv)

Kopje te vërtetuara të dokumenteve tekniko-ligjore, në të cilat bazohet Regjistri i Pasurive të Paluajtshme / faqe

Certifikatë familjare

Certifikatë personale

Certifikatë nga akti i vdekjes

Certifikatë nga akti i martesës

Certifikatë nga akti i lindjes

Konfirmim për gjendjen aktive të mjetit

Vërtetim për lejen e drejtimit

Vërtetim për pagimin e kontributeve nga subjekti

Vërtetim për përgjegjësitë tatimore

Vërtetim për pagimin e kontributeve për individin

Vërtetim për regjistrim të investitorit

Vërtetim për pagim detyrimesh

Vërtetim statusi (aktiv, pasiv përfshirë datën)

Vërtetim xhiro për 3 vitet e fundit