Komisioni Evropian ka dhënë vlerësime pozitive për Shqipërinë sa i takon informatizimit të shërbimeve publike dhe rritjen e aksesit online.

Në progresraportin e fundit të KE-së (viti 2019) thuhet se: “Shërbimet elektronike, siç janë pagesat online të taksave, janë zhvilluar edhe më tej. Informacioni mbi shërbimet publike është më i aksesueshëm për qytetarët”.

Konstatimi i KE-së është inkurajues, për realizimin e objektivave për zhvillim dhe përmirësim të mëtejshëm në sferën e shërbimeve publike online.

Shërbimet elektronike të portalit qeveritar e-Albania janë domosdoshmëri e veprimtarisë së përditshme për mbi 800 mijë shtetas shqiptarë, brenda dhe jashtë atdheut. Sot ofrohen pothuajse 600 shërbime elektronike dhe 38 dokumente me vulë elektronike. Dhënia vlerë ligjore e vulës elektronike dhe nënshkrimit elektronik ka patur një ndikim të madh për reduktim kostosh dhe kohe të humbur për qytetarët. e-Albania dhe shërbimet me vulë kanë evituar në total 100 vite pritje në radhë në sportelet e administratës dhe kanë kursyer mbi 100 milionë lekë të reja nga ofrimi pa pagesë i certifikatave të gjendjes civile.

Në vijim pritet të shtohen edhe 100 shërbime të reja elektronike me vulë elektronike.

e-Albania funksionon falë Platformës Qeveritare e Ndërveprimit, e cila është pikë kyçe e realizimit të ndërveprimit të sistemeve të institucioneve shtetërore, e cila është në zhvillim të vazhdueshëm. Platforma është unike në rajon dhe vendet e Ballkanit po synojnë të ndjekin këtë shembull për të realizuar simotrat e saj në vendet respektive.