Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, si institucioni qendror publik për zhvillimin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në administratën publike ka marrë pjesë në panairin “Tirana Tech Open 2019”, i cili mirëpriti gjatë tre ditëve të organizimit të tij sipërmarrës, startup-e, studentë dhe profesionistë të mirënjohur të fushës TIK në Shqipëri e botë. AKSHI u prezantua në panair përmes dy stendave të dedikuara për portalin qeveritar e-Albania si dhe hapësirën në dispozicion të inovatorëve në TIK, TechSpace.

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, znj. Mirlinda Karçanaj, në një komunikim informal me të rinjtë e pranishëm foli mbi evoluimin e shpejtë dhe cilësor të inovacionit në administratën publike shqiptare.

Ajo theksoi se transformimi digjital i shërbimeve publike ka qenë kryefjala e punës së AKSHI-t në vitet e fundit, si rezultat i së cilës portali e-Albania, një ndër projektet më të suksesshme të shtetit shqiptar në fushën TIK, sot numëron 600 shërbime elektronike të cilat mbledhin të dhëna nga 49 sistemeve elektronike shtetërore.

Shërbimet konsullore numërojnë me qindra aplikime çdo ditë, duke iu kursyer qytetarëve shqiptarë jashtë vendit kohë dhe shpenzime që dikur i harxhonin duke shkuar fizikisht në sportelet e ambasadave dhe konsullatave”. Znj. Karçanaj përmendi gjithashtu një prej gurëve kilometrikë më të rëndësishëm në historinë e digjitalizimit të shërbimeve, mundësimi i shkarkimit të dokumenteve online, të pajisura me vulën elektronike të vlefshme ligjërisht.

Ndër projektet e realizuara së fundmi, Znj. Karçanaj përmendi Ndërkohë, sistemin tërësisht avantgard të Gjobave Elektronike për Policinë e Shtetit i cili i mundëson që punonjësi i policisë rrugore të zhvillojë në kohë reale një grup veprimesh zinxhir gjatë punës në terren, sikurse marrja e informacionit në kohë reale për një mjet të ndaluar mbi siguracionin, kolaudimin, numrin e gjobave të papaguara prej tij si dhe të regjistrojë dhe të printojë menjëherë gjobën përmes tableteve elektronike.

Duke folur për sistemin e fiskalizimit, një koncept i ri që bizneset e kanë dëgjuar masivisht kohët e fundit dhe për të cilin po bëhet një fushatë e mirëfilltë informuese, ajo sqaroi se procesi bazohet tashmë në një sistem të ri, i cili mundëson një mekanizëm të mbikëqyrjes në kohë reale për pajisjet fiskale dhe bën të mundur që qytetarët të mund të verifikojnë në kohë reale nëse fatura që kanë marrë, është raportuar në sistemin tatimor, duke skanuar me telefon QR-code unik të faturës.

Në fushën e shëndetësisë, u përmend projekti i Regjistrit Elektronik për Formularët e Vizitave të Mjekut të Familjes, i cili digjitalizon më tej shërbimin parësor mjekësor ndaj qytetarëve dhe lehtëson punën e përditshme të mjekëve.

“Ndër të tjera nuk mund të le pa përmendur edhe krijimin e portalit opendata.gov.al, në të cilin sistemet elektronike të institucioneve publike rifreskojnë automatikisht të dhëna publike të hapura me interes për bizneset, studiuesit, studentët, startup-et, qytetarët etj. përmes shfletimit, vizualizimit dhe shkarkimit të të dhënave qeveritare të hapura në formate të ndryshme.” Ajo ftoi të rinjtë në sallë që të shfrytëzojnë të dhënat e publikuara në portal për projektet e tyre inovatore.

“Një tjetër arritje që gjej rastin të theksoj janë edhe projektet në zhvillim në fushën e transportit, të cilat kanë sjellë personalizimin dhe lëshimin i kartonit të lejedrejtimit në vetëm 30 minuta,” tha znj. Karçanaj.

Së fundmi, duke përforcuar angazhimin e qeverisë shqiptare në hartimin e projektligjit të startup-eve që u përmend edhe nga ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, z. Shalsi, znj. Karçanaj ftoi të pranishmit të jenë aktivë me sugjerimet dhe komentet e tyre gjatë procesit të konsultimit që është duke u zhvilluar. Gjithashtu, ajo theksoi se TechSpace, hapësira në dispozicion të studenteve dhe startup-eve me projekte inovative TIK, është e hapur dhe mirëpret çdo ditë të javës të rinjtë.