25Jan

Marrëveshje bashkëpunimi mes AKSHI-t dhe Postës Shqiptare

Koordinim për ofrimin e shërbimeve publike të portalit e-Albania

Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe Postës Shqiptare, për koordinimin e ofrimit të shërbimeve elektronike të portalit e-Albania ndaj qytetarëve dhe bizneseve në çdo zyrë postare të territorit të Republikës së Shqipërisë. Marrëveshja u nënshkrua në ambientet e zyrave qendrore të Postës Shqiptare nga kreu i Agjencisë, znj. Mirlinda Karçanaj dhe administratori i Postës, z. Laert Duraj. Më anë të saj, punonjësit e Postës do të mund të gjenerojnë përmes e-Albanias dokumente me vulë elektronike. 

Në fjalën e saj, znj. Karçanaj theksoi se janë 33 dokumente që ofrohen me vlerë të plotë ligjore falë vulës elektronike, që numërojnë mbi 3 milionë gjenerime në 15 muaj, nga të cilat më shumë se gjysma janë gjeneruar nga 7,300 punonjës të administratës publike, që kanë akses në portalin e-Albania.

“Jo më kot krenohemi me jetësimin e këtij objektivi pasi u kemi kursyer rreth 80 milionë lekë të reja xhepave të qytetarëve përmes ofrimit pa pagesë të certifikatave të gjendjes civile, si dhe iu kemi eliminuar atyre 70 vite kohë pritje në radhë në sportelet e administratës për nxjerrjen e këtyre dokumenteve.Marrëveshja e sotme sjell një risi në ofrimin e shërbimeve, pasi u krijon mundësinë qytetarëve dhe bizneseve të aplikojnë për sherbimet e portalit e-Albania nga çdo sportel i Postës Shqiptare në të gjithë territorin e vendit”, u shpreh znj. Karçanaj.

 Duke nënvizuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ka sot e-Albania për komunikimin online të qytetarëve me institucionet shtetërore shqiptare, kreu i AKSHI-t theksoi se prej 591 shërbimeve elektronike aktuale, funksionale në portalin e-Albania, 122 prej tyre ofrojnë mundësinë e gjenerimit me vlerë të plotë ligjore, falë vulës apo nënshkrimit elektronik.

 Znj. Karçanaj njoftoi se po punohet intensivisht për shtimin e 100 shërbimeve të reja elektronike gjatë vitit 2019.

 Nga ana e tij, z.Duraj, duke shprehur kënaqësinë që Posta Shqiptare bëhet pjesë e historisë së suksesit të AKSHI-t, theksoi se me firmosjen e kësaj marrëveshje, sportelet e Postës transformohen në “One Stop Shop”, duke iu mundësuar qytetarëve dhe bizneseve lehtësi dhe komoditet në përfitimin e shërbimeve.

 “Risi për ne është tashmë fakti se te Posta Shqiptare, veç individit mund t’i shërbejmë edhe biznesit. Përmes Postës, biznese mund të kryejë një sërë procedurash, duke kursyer kohë, si dhe duke paguar tarifa shumë të ulëta”, u shpreh z. Duraj, duke premtuar gjithashtu tarifa modeste për individët.

 Çdo muaj portali e-Albania numëron mbi 1 milion vizita dhe mbi 400,000 përdorime të shërbimeve të tij elektronike, çka dëshmon se qytetarët dhe bizneset shqiptare e shohin atë si kanalin kryesor të marrjes së shërbimeve publike. Ndër shërbimet më të përdorura renditen:

  • Certifikatat e gjendjes civile, me më tepër se 100,000 gjenerime cdo muaj;
  • 9 vërtetimet tatimore si vërtetimi i xhiros së subjektit, vërtetimi për pagim detyrimesh, vërtetime të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore me mbi 50,000 përdorime në muaj;
  • Dokumente të tjera të biznesit si ekstraktet apo certifikata e regjistrimit me rreth 10,000 përdorime në muaj;
  • Shërbimet e aplikimit dhe gjenerimit të kartës së shëndetit, shërbimet konsullore online dedikuar shqiptarëve jashtë vendit, depozitimi i bilancit vjetor në Qendrën Kombëtare të Biznesit, aplikimi për leje ndërtimi, pagesat e kundërvajtjeve rrugore, faturave të energjisë elektrike apo ujit etj.