Eksperti i Microsoft, Evangelos Chrysafidis e çeli siparin e trajnimeve dhe sesione informuese që u zhvilluan këtë të martë e të mërkurë pranë TechSpace, me punonjës të administratës dhe më pas me studentë e të rinj të fushës TIK.

Duke trajtuar temën e “Qeverisjes moderne”, ku morën pjesë mbi 30 pjesëmarrës, punonjës të administratës, Chrysafidis foli për qeverisjen qendrore, organizatat dhe sipërmarrjet shtetërore, të cilat sot po përballen me sfida të shumta dhe me mundësi të jashtëzakonshme në një mjedis konkurrues, i cili vazhdimisht pëson ndryshime rrënjësore.

“Transformimi në një qeverisje moderne  nxitet nga 4 shtylla kryesore të fokusit dhe strategjisë: Angazhimi i qytetarëve, fuqizimi i punonjësve qeveritarë, optimizimi i veprimeve qeveritare dhe vitet e fundit edhe në transformimin e shërbimeve qeveritare”, tha ndër të tjera Chrysafidis.

Gjatë trajnimit u fol edhe për mënyrën se si transformimi digjital po i bën vendet e vogla të afta për të konkurruar në nivel global, se si ndikon produktiviteti i vërtetë dhe cilat janë parakushtet kyçe strategjike për një transformim të suksesshëm në qeverisjen moderne.

Gjithashtu për pjesëmarrësit u bënë me dije risitë e indrustrisë dhe inovacionit që lidhen me 4 shtyllat e mësipërme, si dhe praktika të dobishme të transformimit në sektorin e qeverisjes.

Gjatë ditës së martë, Chrysafidis zhvilloi edhe një takim me temë “David vs Goliath” in Global economies me të rinj të fushës TIK.

Eksperti tjetër i mirënjohur i Microsoft, Ratko Mudavdžić, duke marrë stafetën e trajnimeve për punonjës të administratës  preku temat e qeverisjes fleksibel, studimit të rastit “Hybrid Cloud”, “Azure Stack dhe përMicrosoft Cloud Platform Roadmap” .

Respektivisht duke folur për temen qeverisjes fleksibël, Mudavdžić theksoi se për të qenë e tillë, një ekipi drejtues i duhet të jetë i aftë për t’iu përshtatur sa më parë kushteve të ndryshimit, me qëllim rikthimin në normalitet.

Në lidhje me temën e dytë, eksperti theksoi se organizatat qeveritare arrijnë elasticitetin dhe fuqinë informatike të duhur të Cloudit Publik për detyrat informatike bazike dhe jo sensitive, duke i ruajtur dhe mbrojtur aplikacionet dhe të dhënat e  rëndësishme.

Për ta bërë sa më të qartë për të pranishmit, Mudavdžić dha disa shembuj konkretë  lidhur me zbatimin e cloudit Hibrid të MITA (Malta IT Agency)

Gjithnjë, në terma teknikë për ekspertët e fushës, Mudavdžić preku edhe temën e “Azure Stack”, i cili është gurthemeli i zbatimit të cloudit hibrid në një datacenter, një zgjatim funksion i cloudit publik, por mundëson disa skenarë inovativë.

Lidhur me këtë, eksperti i Microsoft, theksoi se me anë të “Azure Stack”, krijohen mundësi, si p.sh: menaxhimi i të dhënave, ofrimin e mënyra të reja për të zhvilluar aplikacione moderne.

Për temën e katërt, Mudavdžić dha një panoramë të përgjithshme për punonjës të fushës TIK,  lidhur me platformën e Qendrës së të Dhënave, infrastrukturën dhe si po punojnë kompanitë më të mëdha lidhur me cloudet publikë, hibridë dhe privatë.

Gjithashtu, Mudavdžić zhvilloi edhe një sesion informues me të rinj përsëri pranë TechSpace, lidhur me informatikën kuantike.

Trajnimi pasues u mbajt nga ekspertja kroate e Microsoft,  Anela Husković,lidhur me Inteligjencën Artificiale, temë e cila për më shumë dekada ishte thjesht imagjinatë, sot po përdoret gjithnjë e më tepër falë mjeteve moderne AI dhe platformave që kanë lidhje me të.

Nuk është çudi që shumë hallka të sektorit publik tashmë kanë filluar të eksperimentojnë me teknologjitë e kësaj natyre. Përmes sesionit informues u dhanë informacione mjaft interesante se si teknologjia ka arritur të ndërthuret me sektorin publik duke sjelle rezultate shumë të mira.

Gjithashtu, aplikacionet e bazuara tek AI po sjellin mjaft benefite, si në eliminimin e një sërë procedurave rutinë, shmangien e hapësirave të pashfrytëzuara, ashtu edhe në reduktimin e kostove. Shumë agjenci dhe kompani po e bëjnë pjesë të vetën, duke lehtësuar dhe automatizuar një gamë të gjerë veprimesh.

AI është dhe pashmangshmërisht do të jetë një prej teknologjive kryesore të shekullit të 21-të që duhet të integrohet në një spektër të gjerë institucionesh, sidomos ato qeveritare.

Ndërsa, lidhur me temën e Administratës Tatimore, Harry Tsavdaris, një tjetër arkitekt i Microsoft per Europen Qendrore dhe Lindore, theksoi se ky koncept po ndikohet prej trendeve teknlogjike, që përfshijnë Big Data, analizat e avancuara, inteligjencën artificiale, IoT, ndryshueshmërinë, cloud computing etj. Këto trende kanë fuqinë e rritjes së kënaqësisë së taksapaguesve, fuqizimin e punonjësve të agjencive tatimore,  optimizimin e operacioneve dhe modernizimin e shërbimeve.

Administratat tatimore mund t’i kthejnë të dhënat në një model analizash parashikuese, duke ndihmuar në parandalimin e evazionit fiskal dhe mashtrimit. Gjithashtu, përmirësimi mund të ndihet edhe tek shërbimet që u ofrohen tatimpaguesve duke nisur nga lehtësimi i mënyrës së pagesave, dhënies së rimbursimeve pa vonesa dhe ofrimit të informacionit të shpejtë. Për administratat tatimore, e gjitha sa më sipër mund të zvogëlojë kohën e veprimit, të ulë kostot, të përmirësojë efikasitetin e auditimit dhe teknikat e menaxhimit të rrezikut, si dhe të nxisë më mirë prioritetet në nivel kombëtar dhe më gjerë.

​Përmes këtij takimi u dhanë njohuri mbi planifikimin strategjik të Administratës Tatimore, që falë risive inovatore të mund të drejtohet drejt aspiratave digjitale duke konceptuar mënyrat e transformimit në dobi të palëve të përfshira në këtë lloj sistemi.