Konferencë e nivelit të lartë në Romë; prezantohen zhvillimet digjitalizuese në Shqipëri

Në konferencën dyditore ndërkombëtare të nivelit të lartë, me temë “Zhvillimi i Strategjive Antikorrupsioni për epokën dixhitale – tendencat e fundit dhe praktikat më të mira nga OSBE”, që u zhvillua në Romë të Italisë, në datat 12-13 nëntor, ku ishin të pranishëm drejtues të lartë të OSBE-së, ministrja shqiptare e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, politikanë nga vendet anëtare të OSBE-së, kreu i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, znj. Mirlinda Karçanaj, ekspertë, etj., procesi i derregullimit dhe dixhitalizimi i shërbimeve publike, të ndërmarra nga Qeveria Shqiptare si instrumente të rëndësishme për uljen e nivelit të korrupsionit, kanë marrë vlerësime mjaft pozitive.

Referues të ndryshëm, si përfaqësuesja Speciale e Kryesisë italiane të radhës së OSBE-së për luftën kundër korrupsionit, Paola Severino, Gianluca Esposito, sekretar ekzekutiv i GRECO-s, Antonio Gullo, profesor i së drejtës penale në Universitetin “LUISS Guido Carli”, Romë dhe Alina Mungiu-Pippidi, profesore e studimeve demokratike në Berlin kanë vlerësuar si efikase dhe me rezultate konkrete nismat e qeverisë shqiptare për derregullimin dhe përdorimin e inovacionit në shërbimet publike. Sipas tyre këto nisma po japin ndikimin e tyre në minimizimin e hapësirave për korrupsion në administratën publike.

Në fjalën hapëse të konferencës, znj. Severino u shpreh se teknologjia digjitale ofron mundësi  të mëdha që përmes saj të reduktohet niveli i korrupsionit dhe se iu takon politikanëve që të jenë të vëmendshëm dhe të vendosur për të përballur sfidat që vijnë përmes risive teknogjike.

Në fjalën e saj, ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, duke sjellë shembullin e Shqipërisë në drejtimin e zhvillimit inovativ dhe qasjes së tij në transformimin e shërbimeve publike, foli për portalin qeveritar e-Albania dhe realitetin e ri të komunikimit cilësor të qeverisë shqiptare me qytetarët brenda dhe jashtë vendit.

“Një sërë shërbimesh të riinxhienirizuara iu kanë lehtësuar qytetarëve marrjen e dokumentacionit në Shqipëri. Sot qytetarët tanë përfitojnë në kohë reale duke aksesuar e-Albanian me 575 shërbime elektronike nga telefoni, tableti, kompjuteri apo kioska digjitale, dokumente me vlerë ligjore falë vulës digjitale.Në harkun kohor prej 12 muajsh janë shkarkuar mbi 2 milionë dokumente me vulë elektronike të gjeneruara përmes e-Albanias. Bizneset dhe qytetarët janë ndërgjegjësuar për këto zhvillime inovatore dhe i kanë zëvendësuar procedurat fizike me ato online”, u shpreh znj. Gjonaj.

Digjitalizimi i shërbimeve publike në Shqipëri ka sjellë me vete një ndikim pozitiv, pasi radhët janë reduktuar, cilësia dhe transparenca e institucioneve është e lartë dhe niveli i korrupsionit është ulur ndjeshëm. Në Shqipëri, qytetarët aplikojnë online për lejet e ndërtimit, një sërë procedurash dokumentuese që lidhen më shëndetin janë transformuar online. Për bashkatdhetarët tanë ka një gamë të dedikuar shërbimesh konsullore, lehtësuese për komunikimin e tyre me shtetin amë. Në portalin e-Albania ndodhet një larmi shërbimesh dedikuar të rinjve, siç janë shërbimet e Maturës Shtetërore, si dhe shërbime për kategori të ndryshme të shtetasve shqiptarë. 

Një tjetër shembull i shkëlqyer inovator është platforma “Shqipëriaqeduam” që ka siguruar denoncimin në kohë reale të qytetarëve dhe reagimin e shpejtë të institucioneve të shtetit për problemet e ngritura. Së shpejti, në planet e qeverisë shqiptare është vënia në jetë e projektit “Open Data”, qëllimi i të cilit do të jetë të shërbejë si një burim informacioni dhe si një vend konsultimi midis qytetarëve dhe institucioneve vendimmarrëse në Shqipëri.