Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Inovacionit, përmes TechSpace mbështet fuqimisht çdo startup, i cili në thelbin e punës së tij vendos inovacionin dhe zgjidhjet teknologjike në shërbim të një qëllimi të caktuar. Kjo vlen natyrisht edhe për startup-et që ofrojnë mundësitë e duhura për zhvillim në fushën e agroushqimit.

Gjatë një takimi të organizuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, me synim bashkëpunimin për ndërtimin e një ekostistemi inovativ për vendet e Mesdheut, ku morën pjesë zyrtarë të lartë të MBZHR-së, përfaqësues të institucioneve të ndryshme shqiptare, si dhe partnerë të CIHEAM Bari (qendra për trajnime pasuniversitare, kërkime shkencore të aplikuara dhe modelim i aksioneve të partneritetit brenda kornizës së programeve ndërkombëtare të kërkimit dhe bashkëpunimit), drejtoresha e  Inovacionit dhe IPA Sektoriale e-Gov, pranë AKSHI-t, znj. Romina Kostani, bëri një përshkrim të përgjithshëm të punës së institucionit dhe mbështetjes që AKSHI ofron lidhur me TechSpace, si inkubator për startup-e të llojeve të ndryshme.

“Qëllimi ynë është të inkurajojmë të rinjtë dhe startup-et, për të sjellë produktet dhe shërbimet e tyre inovative TIK në treg. Pranë TechSpace të rinjtë aktualisht zhvillojnë idetë e tyre dhe janë të prirur t’i japin një formë konkrete biznesit të tyre, pse jo edhe bizneseve të lidhura posaçërisht me agroushqimin”, u shpreh Znj. Kostani.

Duke bërë një përshkrim të përgjithshëm të shërbimeve elektronike të e-Albanias, përfshirë ato që ofrojnë dokumentacione me vlerë ligjore falë vulës elektronike dhe që kanë reduktuar ndjeshëm kostot monetare dhe të kohës për qytetarët dhe biznesin, znj. Kostani foli edhe për gatishmërinë e AKSHI-t për bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet vendase dhe partnerët ndërkombëtarë.

Takimi vijoi me një workshop dyditor, në qendër të të cilit është çështja e prodhimit ushqimor në sasi dhe cilësi të mjaftueshme për konsumatorët, ndërkohë që popullsia botërore rritet vazhdimisht dhe ndryshimi i klimës është i pandalshëm.

CIHEAM Bari themeloi Rrjetin MIP (Mediterranean Innovation Partnership) në sektorin e agroushqimit në vitin 2016, mes 10 prej vendeve të Mesdheut, përfshirë Shqipërinë. Qëllimi kryesor i rrjetit është të nxisë zhvillimin e një ekosistemi të inovacionit mesdhetar, forcimin e bashkëpunimit midis inovatorëve, institucioneve, qendrave kërkimore dhe organizatave mbështetëse të inovacionit.