Gjatë një tryeze publike lidhur me reformën e shërbimeve dhe ecurisë së procesit të Deregulimit, zhvilluar mëngjesin e së enjtes në sallën “COD” në Kryeministri, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Niko Peleshi u bëri me dije përfaqësuesve të fermerëve që ishin të pranishëm, se për të marrë shërbimet që ofrohen nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural iu duhet të kenë me vete vetëm një kartë identiteti dhe të aplikojnë për të përfituar nga fondi i planifikuar në paketën e mbështetjes për bujqësinë për vitin 2018.

“Pas datës 28 shkurt, çdo fermer duhet të paraqitet vetëm me kartën e identitetit, të vetëdeklarojë të gjitha të dhënat që kërkohen dhe vetëm fituesit duhet të plotësojnë më pas certifikatën e pronësisë apo titullin e pronësisë. Kostoja për procedurën është minimale dhe me këtë ndryshim u kemi lehtësuar jashtëzakonisht punën fermerëve”, u shpreh z. Peleshi.

Ministri i Bujqësisë u shpreh se synim kryesor është futja e të gjithë shërbimeve shtetërore në sistemin virtual.

“Synimi madhor është që, siç është shprehur në mënyrë të figurshme edhe Kryeministri, ta fusim shtetin në celular. Dhe kjo po mundësohet përmes sportelit virtual shtetëror, e-Albania”, u shpreh z. Peleshi.

Ministri i Bujqësisë premtoi se vitin e ardhshëm aplikimi do të kryhet tërësisht online, ndërsa për momentin synohet që të hapen 36 sportele në të gjithë Shqipërinë, në mënyrë që vetë nëpunësit e AZHBR t’u vijnë në ndihmë fermerëve në çdo qark.

Ashtu siç është bërë publike edhe më herët fondi i planifikuar në paketën e mbështetjes për bujqësinë për vitin 2018, ka shkuar në 2,6 miliardë lekë.

Mbështetja e qeverisë do të orientohet drejt kulturave bujqësore që kanë treg dhe sigurojnë të ardhme financiare për familjen fermere. Secilit fermer i subvencionohet çdo fidan i mbjellë në masën 50% dhe se sfidat e radhës është certifikimi i produkteve dhe rritja e standardeve për eksport.

Paketa synon edhe rritjen e sigurisë ushqimore e për këtë do të mbështen ndërtimi i thertoreve, ambienteve të përpunimit të produkteve blegtorale, ndërtimi i pikave të reja të grumbullimit të qumështit si dhe ngritja e ambienteve të grumbullimit dhe ruajtësve frigoriferikë për fruta perime dhe prodhime të peshkut.

Nëpërmjet aplikimit online të fermerëve në portalin e-Albania, për përfitimin e mbështetjes financiare rritet transparenca, si dhe zvogëlohet koha e kostoja për aplikuesin.