b_0_0_0_00_images_fotoB.jpg

Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, znj Milena Harito dhe Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit znj, Mirlinda Karçanaj zhvilluan më datë 24 mars, një vizitë në shkollën e mesme të përgjithshme “Gjergj Kastrioti” në Durrës, ku u takuan me mësues dhe maturantë të këtij gjimnazi, për të bashkëbiseduar nga afër, lidhur me shërbimin “Matura Shtetërore” në portalin unik qeveritar e-Albania, si dhe për shërbime të tjera në funksion të qytetarëve dhe biznesit.

Takimi u zhvillua në formën e një komunikimi të drejtpërdrejtë me maturantët, të cilët janë në kulmin e aplikimeve për Maturën Shtetërore, përmes shërbimit elektronik dedikuar për ta në portalin e-Albania.

Drejtoresha e AKSHI-t, znj Karçanaj u shpreh se vetëm në javën e parë të çeljes së aplikimeve për Maturën Shtetërore janë realizuar mbi 7 mijë të tilla, ndërsa siguroi se për çdo problematikë të hasur institucioni që ajo drejton është dhe do të jetë në dispozicion të plotë të të rinjve.

“Vlerësoj se mënyra e menaxhimit dhe e zbatimit të teknikaliteteve të përdorimit të shërbimit është përmirësuar ndjeshëm, duke na bërë të besojmë fort se jemi në rrugën e duhur”, u shpreh kreu i AKSHI-t.
Ministrja Harito theksoi rëndësinë e përdorimit të portalit e-Albania për shërbime që nga karta e shëndetit, pagesa e energjisë elektrike e një sërë shërbimesh të tjera, që mund të merren nga shtëpia, pa pasur nevojë që individët të paraqiten ne sportelet e institucioneve të ndryshme shtetërore.

“Ju inkurajojmë që t’i përdorni si qytetarë shërbimet publike online, por edhe të ndihmoni prindërit tuaj t’i përfitojnë ato”, u shpreh znj. Harito.

Mësuesit e “Gjergj Kastriotit” shprehën vlerësimin për shërbimin “Matura Shtetërore”, si dhe theksuan se në sajë të trajnimeve të kryera për përdorimin e portalit e-Albania, ata vetë kanë qenë në efikasitet të plotë për të asistuar të rinjtë lidhur me aplikimin online për maturën.

Gjatë takimi u fol edhe për projekte të tjera në funksion të studentëve dhe nxënësve. Një shërbim mjaft i vlefshëm për studentët është “Njësimi i diplomave dhe certifikatave të lëshuara nga institucionet e huaja të arsimit të lartë”, dedikuar të rinjve që studiojnë jashtë dhe kërkojnë të kthehen për t’u punësuar në vendin tonë.

Drejtoresha e AKSHI-t, bëri me dije gjithashtu se brenda pak muajve në portalin e-Albania do të ketë shërbime të reja elektronike për regjistrimin e fëmijëve në shkolla dhe në kopshte.

“Prindërve iu evitojmë ndjekjen e procedurave burokratike në letër, ndërsa punonjësve të administratës iu lehtësojmë disa hallka e iu lehtësojmë punën. Në portalin e-Albania do të nisin të funksionojnë shërbime dedikuar regjistrimit të fëmijëve në kopshte, në shkollat 9-vjeçare, në gjimnazet e përgjithshme apo në shkollat profesionale, sipas vendbanimit të familjeve respektive. Impakti për qytetarët do të jetë i menjëhershëm, pasi do të evitohen njëherë e mirë paqartësitë dhe rrëmuja që haset para nisjes së çdo viti akademik lidhur me regjistrimin e fëmijëve në institucionet arsimore publike”, u shpreh zonja Karçanaj.

Takimi pranë gjimnazit “Gjergj Kastrioti” u zhvillua paralel me fushatën informuese, shtrirë nëpër gjimnaze të Tiranës përgjatë muajit mars.