b_0_0_0_00_images_293367.jpg

Përdorimi i internetit është një dukuri që prek thuajse të gjithë njerëzit.

Në një farë mënyre ose në një tjetër ne ndërveprojmë dhe kryejmë një masë të madhe të aktivitetit tonë të përditshëm në rrjet. Në 25 vite ka ndodhur një tjetërsim në raportet komunikative, gjë e cila e ka bërë botën vërtet më të vogël, ngjarjet, më të përbashkëta dhe ekonominë më të ndërvarur. I gjithë ky proces ka marrë një emër: dixhitalizim.

Por cila është përgjigja që jep sektori publik ndaj këtyre sfidave që janë masivizuar në përdorim nga iniciativa private? Prej disa kohësh flitet për atë që quhet “qeverisje elektronike”. Në thelb kjo konsiston në ofrimin e shërbimeve publike në rrugë elektronike, pra duke alternuar shërbimin tradicional, për të rritur cilësinë, kufizuar kohën, por edhe për të rritur aftësitë menaxhuese dhe ndërvepruese me sektorin privat. Në qendër të interesit këtu janë qytetarët, të cilët në këtë rast janë pjesë aktive dhe jo pritës pasivë në pozita të diskriminuara.

Shqipëria ka bërë jo pak në këtë drejtim. Përgjegjësinë për rregullimin, përmirësimin dhe menaxhimin e këtij procesi e ka Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), bërë funksionale në vitin 2007 dhe që si bazë ligjore ka një Vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 2014. Që në fillim kjo agjenci ka pasur si strategji, ndërlidhjen e sistemeve me njëri-tjetrin dhe shkëmbimin e të dhënave në kohë reale mes tyre, si hap të domosdoshëm për thjeshtimin e shërbimeve dhe uljen e numrit të dokumenteve që i kërkoheshin qytetarit apo biznesit në sportele.

Si realizohet kjo dhe ku konsiston ky përmirësim themelor?
Dy janë proceset bazë që e bëjnë të mundur standardin e ri: ndërveprimi i sistemeve dhe dixhitalizimi. Për ta kuptuar më mirë këtë,  vlen të theksohet se pas atyre qindra shërbimeve elektronike që sot ofrohen elektronikisht nga institucionet publike shqiptare qëndron një arkitekturë komplekse (Platforma Qeveritare e Ndërveprimit); një proces që vijon i dixhitalizimit të sistemeve, të arkivave etj., dhe në fund edhe një sistem sigurie dhe kodimi që mundëson vlerën ligjore të dokumentacionit që shkëmbehet përmes këtij lloj transaksioni të ri.

Aktualisht AKSHI ka të ndërlidhura në Platformën Qeveritare të Ndërveprimit 42 sisteme të institucioneve publike (vlejnë të përmenden këtu institucione me rëndësi të lartë në shtetin shqiptar si Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Punëve te Jashtme, Qendra Kombëtare e Bizneseve etj.) të cilat reflektojnë mandej dhënien e shërbimit përkatës për qytetarin apo biznesin në format elektronik.

Ndoshta shembulli më i mirë në këtë drejtim është Sistemi Multifunksional i Qendërzuar i Lejeve të Ndërtimit: e-lejet. Pra sot bizneset apo qytetarët, çdo aplikim që lidhet me leje ndërtimore gjithfarëshe e kryejnë online përmes portalit qeveritar e-albania, duke ngarkuar dokumentet, përgjigjen e të cilave e marrin sërish online brenda një afati të detyrueshëm ligjor. Përveç përparësive që janë të kuptueshme, mund të shtojmë këtu se me dixhitalizimin vjen edhe eliminimi i letrës në ofrimin e shërbimit publik. Sot, nëpërmjet këtij sistemi, arrihen të eliminohen rreth 23.000 shkresa përcjellëse në muaj – ose e thënë fare thjesht, një furgon me letër. Kalimi në shërbimin 100% elektronik, pra “PaperLess”(Pa Letër), për një numër të konsiderueshëm nga 500 shërbimet elektronike të disponueshme në portalin e-albania, është një objektiv tjetër i AKSHI-t që do të mbyllte një epokë dhe do të hapte një tjetër.

Si një institucion thellësisht teknik që drejton gjithë procesin e dixhitalizimit, pjesë e punës së përditshme të AKSHI-t është edhe shqyrtimi i projekteve të reja IT të institucioneve publike në nivel qendror, për vlerësimin e cilësisë dhe efikasitetit të tyre. Falë kuadrit ligjor që detyron institucionet publike të marrin miratimin e AKSHI-t për projektet e tyre IT, institucioni siguron jo vetëm që projektimi i këtyre sistemeve t‘i përmbahet në mënyrë rigoroze një seti të qartë zgjidhjesh të duhura të kësaj fushe dhe të jetë sipas standardeve më bashkëkohore, por mundëson edhe që procesi i dixhitalizimit në tërësi të ecë me ritme të shpejta.

Veprimtaria e AKSHI-t është edhe më e gjerë. Si zhvillues, administrues dhe mirëmbajtës i Infrastrukturës së “Çelësit Publik”, AKSHI është përgjegjës për pajisjen me nënshkrim elektronik të aktorëve të ndryshëm. P.sh, në kuadër të sistemit të e-lejeve, AKSHI ka pajisur me nënshkrim elektronik 2736 aplikues, nga të cilët 1470 janë pjesë e administratës publike. Nënshkrimi elektronik është një tjetër hap tejet i rëndësishëm edhe drejt shëndetësisë elektronike. Receta elektronike është program i teknologjisë së informacionit që mundëson gjenerimin, transmetimin dhe plotësimin e recetave mjekësore, duke zëvendësuar përdorimin e recetave letër. Nëpërmjet këtij sistemi, mjeku harton dhe transmeton në mënyrë elektronike një recetë dhe po ashtu, edhe farmacisti ekzekuton në mënyrë elektronike recetën. Prej nëntorit 2015 për qarkun e Durrësit dhe prej shkurtit 2017 edhe për Tiranën, receta elektronike që i jep mundësi institucioneve përkatëse ta monitorojnë, kontrollojnë dhe rimbursojnë atë, është një realitet i prekshëm edhe për shqiptarët. Sot, janë të pajisur më nënshkrim elektronik në kuadër të projektit e-Receta 1500 mjekë, farmacistë, farmaci dhe në përfundim të këtij procesi numri do të shkojë në 3500.

Pranë AKSHI-t gjendet edhe Qendra e të Dhënave Qeveritare (Datacenter). Kjo qendër është ngritur sipas standardeve bashkëkohore të kushteve për serverët dhe mundëson që të gjithë shërbimet online qeveritare të jenë të qendërzuara e të integruara, në monitorim të vazhdueshëm nga AKSHI për të garantuar funksionimin e saj 24/7. Ajo i ofron çdo ministrie/agjencie optimizimin e kostove, pasi nëpërmjet saj kanë mundësinë të përdorin një infrastrukturë të standardeve më të mira duke shmangur kështu shpenzimet e panevojshme dhe të tepërta, që do të duheshin për të krijuar infrastruktura të veçanta. Qendra e të Dhënave Qeveritare ka një sipërfaqe prej 672 m² dhe përfshin 11 ambiente për infrastrukturën teknike, monitorimin dhe sigurimin e shërbimeve elektronike.
 
Por e-qeverisja nuk përfundon këtu. Një element me rëndësi thelbësore në plotësimin e kornizës së saj është që çdo dokument administrativ, si certifikata, vërtetime, dëshmi etj. të kenë të njëjtën vlerë ligjore si kur gjenerohen nga zyrat e shtetit online (apo në këtë rast, nga portali qeveritar e-albania), ashtu edhe kur merren fizikisht në letër në sportelet e tyre. Së shpejti, edhe për certifikatën personale (ky vetëm një shembull) do të jetë i mundur printimi përmes portalit qeveritar e-albania – që administrohet nga AKSHI – certifikatë e cila do të ketë vlerë ligjore në përdorim. Pra çdokush me një kompjuter, në çdo orë dhe kudo që ndodhet, falë vulës dixhitale, pra siglimit elektronik automatik të dokumentit, do të marrë në çast atë për të cilën deri më tani i duhej të shkonte në një zyrë. Përfitimi siç mund të kuptohet është shumë i madh.