Prej datës 16 korrik, portali e-Albania (https://e-albania.al/) ka ardhur në një formë të re, me qëllim lehtësimin e procedurave për marrjen e shërbimeve publike të institucioneve shtetërore shqiptare nga qytetarët, bizneset dhe punonjësit e administratës publike.

Në faqen kryesore të e-Albanias përdoruesit do të gjejnë orientimin e duhur për t’u kanalizuar më pas te shërbimet specifike elektronike apo informuese për të cilat janë të interesuar.

Dokumentet me vulë elektronike apo shërbimet me anë të të cilave kryhen pagesa, zënë vendin prioritar në portal, duke qenë edhe shërbimet më të përdorura deri më sot. Sjellja e e-Albanias në këtë formë është fokusuar në orientimin e shpejtë, të saktë, në varësi të kërkesave të përdoruesve.

Duke qenë sportel virtual me një ndalesë, çdo zyrë virtuale shtetërore ka emërtimin specifik sipas shërbimeve që ofrohen në të. Pjesën më të madhe të faqes kryesore e zënë 12 kategori të veçanta, udhëzuese për përdoruesin që të gjejë se cilat nga 575 shërbimet elektronike kërkon të përdorë. Shërbimet janë të ndara sipas kategorive kryesore të familjes, arsimit, punës, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, kontributeve dhe pensionit, gjendjes gjyqësore, biznesit, lejeve dhe licencave, transportit dhe automjeteve, pasurive të paluajtshme, shërbimeve konsullore, kulturës dhe turizmit, të cilat janë sërish të ndara në nënkategori specifike, por që kanë synim drejtimin e përdoruesit posaçërisht në shërbimin e kërkuar në momentin që është identifikuar në portal.

Për shembull, pjesë e kategorisë “Pasuri e paluajtshme” janë nënkategori si “Kartela, vërtetime dhe certifikata”, “Regjistrime të kontratave”, “Dokumente tekniko-arkivore” etj. Për çdo shërbim specifikohet edhe tipi i përdoruesit së cilit i dedikohet (p.sh. për qytetarë, për biznese, për qytetarë dhe biznese), karakteristikë e bërë e dallueshme edhe me ngjyra. Çdo kategori dhe nënkategori ka një ikonë të dedikuar, të cilat janë dizenjuar duke përdorur si shembull ikona universale për të mundësuar një perceptim sa më të gjerë që në pamje të parë.

Krijuesit e fytyrës së re të e-Albanias kanë rikonceptuar prezantimin e shërbimeve në pjesën e brendshme të tyre. Udhëzimet janë të qarta dhe lakonike, megjithatë, për çdo paqartësi asistentët do të orientojnë në komunikim në chat ose me e-mail deri në marrjen e shërbimit të kërkuar.

Portali i ri ka sjellë me vete edhe një sërë funksionalitetesh të tjera dytësore, si shërbimet elektronike më të përdorura, shërbimet e preferuara apo mesazhet personale.

Paralelisht me ndryshimin e dizajnit, portali vjen i shoqëruar edhe me një version të optimizuar për pajisjet mobile si edhe me aplikacionet e dedikuara mobile, po ashtu të ridizenjuara, për Android e iOS.