Prej 25 marsit, në kuadër të angazhimit të qeverisë për plotësimin e kërkesave të studentëve, është publikuar Portali i Transparencës Universitare “u-transparenca.al”, një instrument për garantimin e kontrollit dhe transparencës në institucionet e arsimit të lartë.

u-Transparenca është krijuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, institucion i cili do të jetë përgjegjës edhe për mbarëvajtjen nga ana teknike e tij. Vetë portali Portali për transparencën e buxhetit të Universiteteve ka mision transparencën për buxhetin e alokuar, shpenzimet dhe investimet e realizuara dhe të planifikuara.

Në takimin e organizuar posaçërisht për prezantimin e portalit ishte i pranishëm Kryeministri i vendit, z. Edi Rama, ministrja e Arsimit, znj. Besa Shahini dhe rektore, dekanë dhe pedagogë nga universitetet e ndryshme të Shqipërisë.

“Krijimi i portalit të transparencës nuk është as qëllim në vetvete dhe as fundi i një procesi informimi dhe komunikimi të ndërsjellë. Në duam që në këtë portal të krijojmë mundësi për komunikim dhe ndërveprim mes individëve të papërfaqësuar në instancat vendimmarrëse, instancave vendimmarrëse, vetë rektorateve dhe dekanateve, por edhe vetë Ministrisë së Arsimit dhe qeverisë, që do të thotë që çdo individ të ketë mundësi që përmes portalit të shprehë opinionet e tij, të japë idetë e tij, apo të bëjë ankesat e tij, të cilat janë transparente dhe të hapura për publikun brenda në universitet dhe për publikun jashtë, për komunitetin e prindërve të interesuar e kështu me radhë, duke përfshirë dhe institucionet tona, Ministrinë e Arsimit, përkatësisht”, u shpreh kryeministri.

Të gjitha informacionet e portalit kanë një vlerë tjetër për arsyen se nuk janë statistika të vdekura, por janë informacione që lidhen me jetën aktive të universitetit dhe me jetën aktive të çdo studenti. Përveç të dhënave statistikore mbi shpenzimet, apo informacionin mbi procedura të caktuara prokurimi, portali ka informacione të hollësishme mbi programet e shkëmbimit studentor, së bashku me të gjitha procedurat përkatëse, mbi bursat, mbi stimujt e ndryshëm financiarë.

Studentët  mund të informohen specifikisht mbi universitetit dhe fakultetin që studiojnë lidhur me praktikat e mësipërme.