Komisioni Europian ka publikuar raportin vjetor “e Government Benchmark”, matja e performancës së e-Qeverisjes, ku Shqipëria është vlerësuar si e para në rajon për Qeverisjen Elektronike në 2019.

Ky raport vlerëson përdorimin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në sektorin publik. Vlerësimi bëhet mbi zhvillimin e shërbimeve publike online me në qendër qytetarin, transparencën e ofrimit të tyre dhe përfshirjen e te ashtuquajturave ‘key enablers’, të cilat masin para-kushtet teknike dhe organizative për ofrimin e shërbimeve elektronike si identifikimi elektronik dhe ndërveprimi mes sistemeve.

Në këtë raport përfshihen 28 vendet e Bashkimit Evropian si dhe Islanda, Norvegjia, Mali i Zi, Serbia, Zvicra, Turqia dhe Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, e cila përfshihet për herë të parë në këtë raport vjetor.

Për raportin vjetor “e Government Benchmark”, çdo shtet plotëson dhe dërgon paraprakisht informacione mbi pyetje të caktuara që kërkohen nga KE. Këto të dhëna verifikohen më pas përmes ‘mistery shoppers’, të cilët trajnohen për të vëzhguar, përdorur dhe vlerësuar procedurat e përfitimit të shërbimeve publike.

Lidhur me raportin e vitit 2019:

 

Vlen për t’u theksuar renditja e Shqipërisë në treguesin “User mobile friendliness of services”, lehtësia e përdorimit të shërbimeve në pajisjet mobile, në të cilën renditemi në vend të 14-te nga 36 shtete. Ky tregues vlerëson faktin se sa të përshtatura dhe lehtësisht të aksesueshme janë shërbimet online në pajisjet mobile si smartfone apo tablete. Në këtë tregues lëmë pas të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe vende të BE-së si Estonia, Luksemburgu, Suedia, Irlanda, Portugalia, Spanja, Republika Ceke, Lituania.

Tjetër fakt pozitiv është renditja në vendin e 19-të nga 36 shtete në treguesin “User usability”, asistenca e e-Shërbimeve, i cili mat nivelin e asistencës online ndaj përdoruesve. Në këtë tregues mbeten pas Shqipërisë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sa i përket transparencës në procedurat e ofrimit të shërbimeve publike (“Transparency of service delivery”), Shqipëria renditet në vend të 20-të nga 36 vende.

E-Qeverisja është sot realitet i prekshëm në Shqipëri dhe menaxhohet e koordinohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Portali qeveritar e-Albania, projekti i qeverisë shqiptare, në themel të të cilit është bashkëveprimi institucional online, është shembulli tipik i dixhitalizimit të shërbimeve shtetërore, ku mundësohen mjete lehtësuese komunikimi të drejtpërdrejta të individëve të autentifikuar në sistem dhe shmangen pengesat e një spektri të gjerë. Qeveria shqiptare, si promotore e transformimit të shërbimeve fizike drejt shërbimeve online, e ktheu e-Albanian në shembull dhe arriti të ndërtojë një imazh serioz të shtetit dhe të kthejë besimin e qytetarëve tek institucionet.