Karçanaj: Mbështetje për projektet më të mira inovatore. Së shpejti, ju sjellim risitë e “Innovation Hub”

Nën organizimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, pranë ambienteve të sallës COD, në selinë e Kryeministrisë u zhvillua eventi me temë “Startup – Inovacioni – E ardhmja”.

Në takimin joformal, ku u njoftua që brenda fundit të qershorit “Innovation Hub” do të vijë me një funksion dhe ambient krejt të ri, u fol kryesisht për nevojat e startup-eve në Shqipëri, hartimin e një plani efikas për veprimtarinë dhe përdorueshmërinë e qendrës, por edhe për nismat ligjore që janë duke u hartuar për t’i bërë startup-et shqiptare më të sigurta dhe më të qëndrueshme brenda dhe jashtë vendit.

Tashmë që, për ecurinë e “Innovation Hub”, kujdes të veçantë do të ketë Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, kreu i këtij institucioni, znj. Mirlinda Karçanaj u shpreh se do të sigurohet mbështetje logjistike në nivel ekspertësh për projektet më ambicioze inovatore, ndërsa theksoi se “Innovation Hub” do të jetë një pikë nxitjeje për të gjithë të rinjtë e të rejat në sektorin TIK.

“Prurjet inovative më të mira do të promovohen tek kompanitë e mëdha, disa prej të cilëve janë partnerë tanët, si “Cisco”, “Microsoft”, “Oracle”, “SAP”, etj. Nga ana tjetër AKSHI do të lobojë për ofrim bursash dhe vendesh të reja pune për individët që do të jenë më premtues në fushën e inovacionit’, u shpreh znj. Karçanaj.

Duke folur për e-Albanian, si një ndër projektet inovatore më të rëndësishme në rang kombëtar dhe rajonal, kreu i AKSHI-t përmendi se falë Platformës Qeveritare të Ndërveprimit, të jetësohen dhe të funksionojnë 48 sisteme shtetërore elektronike drejt produktit final, e-Albanias, portalin e gjithë shqiptarëve.

Në aktivitet ishin të ftuar, nga Bashkimi i Prodhuesve, Sekretari i Pergjithshëm, z. Arben Shkodra, nga Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, znj. Vilma Tomço, drejtuesja e “Innovation Hub”, znj. Ada Ilia, përfaqësues të kompanive të suksesshme, si “Microsoft”, perfaqesues te startup-eve të konsoliduara në treg dhe të atyre që pritet të kene impakt ne te ardhmen.

Në fjalën e saj znj. Tomço foli mbi rëndësinë e sigurisë kibernetike ndërsa z. Shkodra bëri më dije se tashmë ka nisur hartimi i legjislacionit përkatës, duke përmendur se në shumë aspekte ekipet hartuese të nismës ligjore i janë referuar vendeve më të zhvilluara europiane.

Z.Shkodra prezantoi një pjesë të shkurtër të punës së bërë deri tani, ndërsa ftoi të pranishmit që të jepnin kontributin e tyre duke sugjeruar konkretisht propozime, për të cilat shprehu mbështetjen se do të shihen me përparësi për të qenë pjesë e pikave në projektligjin specifik.

Në fund të aktivitetit, të pranishmit hodhën ide dhe propozime për misionin e ri që duhet të ketë “Innovation Hub”, për funksiomin efikas koherent të tij, për mbështetje të vazhdueshme nga ana e institucioneve shtetërore etj.