Shqipëria është një prej vendeve të rajonit që po e realizon me shpejtësi procesin digjitalizues të shërbimeve publike duke ndërtuar hap pas hapi një sistem modern komunikues mes institucioneve publike shtetërore dhe qytetarëve e biznesit.

Gjatë punimeve dyditore të Shkollës Rajonale të Administrates Publike (ReSPA), që për këtë vit u zhvillua në Shkup në datat 12-13 nëntor, u trajtua tema e transformimit digjital; rikrijimit të një administratë publike koherente me epokën digjitale.

Drejtuesja e portalit qeveritar e-Albania, znj. Nevila Repishti, njëherazi përfaqësuesja e institucionit më të rëndësishëm për inovacionin në Shqipëri, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, u shpreh se qeverisja elektronike në Shqipëri tashmë është një realitet i prekshëm.

“Transformimi digjital i administratës publike është thelbësor për në mënyrë që të krijojë mundësi të reja për rritje, të thjeshtojë burokracinë dhe t’i bëjë politikat më transparente dhe efektive. Qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë lehtësi, shpejtësi dhe transparencë në përfitimin e shërbimeve publike dhe nga ana tjetër institucionet shtetërore kanë për detyrë që të ofrojnë shërbime moderne dhe gjithëpërfshirëse, në sajë të përfshirjes së teknologjive inovative”, u shpreh znj. Repishti.

Duke bërë një panoramë të përgjithshme të situatës aktuale, drejtuesja e e-Albanias prezantoi të dhënat më të reja të portalit, që sot numëron mbi 600 shërbime elektronike,  68 prej të cilave mundësojnë marrjen e një dokumenti me nënshkrim elektronik ndërsa 38 gjenerojnë një dokument me vulë elektronike.

“Jemi investuar maksimalisht për t’i dhënë vlerë ligjore vulës elektronike në portal dhe vetëm brenda një viti e gjysmë numërojmë mbi 5.5 milionë dokumente të gjeneruara me vulë. Krenohemi me jetësimin e këtij objektivi pasi u kemi kursyer rreth 1 milion euro xhepave të qytetarëve përmes ofrimit pa pagesë online të certifikatave të gjendjes civile, si dhe u kemi eliminuar atyre 120 vite kohë pritje në radhë në sportelet e administratës për nxjerrjen e këtyre dokumenteve”, theksoi znj. Repishti.

Takimi i Shkupit, mblodhi së bashku ministrat e vendeve të rajonit, përgjegjës për administratën publike, profesionistë të inovacionit, si dhe përfaqësues të shoqërise civile. Prezantimi i Shqipërisë aty, ishte një mundësi mjaft e mirë për të theksuar zhvillimin e vendit në fushën TIK dhe përballimin e sfidave në procesin historik të digjitalizimit.