Në ditën e tretë dhe të fundit të Kongresit për Arsimin, i konceptuar si “Sfidat e Arsimit Cilësor dhe gjithëpërfshirës drejt Integrimit Europian”, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit mori pjesë në sesionin e posaçëm për Arsimimin Profesional dhe Digjitalizimin, ku një zë i veçantë iu dha zhvillimit të vendit në aspektin e ofrimit të shërbimeve publike dhe revolucionarizimit të jetës së qyterarëve dhe bizneseve, përmes teknologjive të reja dhe investimeve të duhura në këtë drejtim.

Drejtoresha e Inovacionit Romina Kostani, si përfaqësuese e AKSHI-t, vuri theksin te strategjia e re dixhitale për 4 vitet e ardhshme, në shtyllat kryesore të së cilës është zhvillimi nëpërmjet teknologjive të reja, së bashku me avancimin e aftësive digjitale.Fëmijët dhe edukimi i tyre që në moshë të vogël me konceptet e kodimit dhe programimit, ka bërë që qeveria të stimulojë dhe mbështesë projektin pilot për zhvillimin e lëndës së TIK-ut që në klasë të parë dhe pajisjen e shkollave pjesë e projektit me laboratorë “smart”.

“Së bashku me Ministrin e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët dhe Ministrinë e Arsimit kemi hartuar kurrikulën e re, e cila do të nisë pilotimin në 100 shkolla. Do të jetë një mënyrë krejtësisht e re e të mësuarit, nëpërmjet lojërave interaktive, për ta bërë klasën e teknologjisë sa më tërheqëse dhe interesante për fëmijët. “CodeMonkey” është platforma që do të përdoret për të mësuar kodimin dhe mund të aksesohet edhe në shtëpi për ata nxënës që do të jenë më të apasionuar pas kësaj lënde”, u shpreh Kostani.

Plani është zgjerimi i kësaj harte, – theksoi më tej Kostani. – Do të punohet për ngritjen e 200 laboratorëve të rinj TIK në të gjithë Shqipërinë.

Ndërkohë, kurrikula e re e TIK-ut, si dhe lojërat e kodimit do të integrohen edhe në SMIP, sistem i krijuar nga AKSHI,  në bashkëpunim me ministrinë e linjës, me qëllim ardhjen në ndihmë të mësuesve, nxënësve dhe prindërve.

Kongresi treditor për Arsimin pati si qëllim bashkimin në një hapësirë diskutimi shumë aktorë në fushën e arsimit, përfshirë arsimin parauniversitar, arsimin e lartë, kërkimin shkencor, agjencitë, partnerët në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.