Me vlerësimin për zhvillimin e Shqipërisë në modernizimin e shërbimeve publike, Banka Botërore, në një publikim të fundit të saj i ka kushtuar një rëndësi të veçantë projektit “Përmirësimi i aksesit të barabartë në shërbimet publike të standardit të lartë nëpërmjet operacionit GovTech”, për transformimin e ardhshëm digjital në vend.

Nëpërmjet marrëveshjes së bashkëpunimit dhe kësaj mbështetjeje të rëndësishme, qeveria shqiptare do të shfrytëzojë reformat e fundit në sektorin publik, duke përdorur teknologjinë në mënyrë më efikase, për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve publike në njërën anë, por edhe edukimin dhe aftësimin digjital të brezave në përpjekjen e vazhdueshme për progres.

Tashmë janë ndezur motorët e parë për zbatimin e projektit mes AKSHI-t dhe Bankës Botërore, e për një qëndrim të saj për këtë risi, është cituar në publikim edhe drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj, e cila është shprehur se: “Projekti me Bankën Botërore është një mundësi jashtëzakonisht e rëndësishme për të na ndihmuar të realizojmë gjeneratën e ardhshme të transformimeve digjitale në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ne presim që ky projekt të ketë një ndikim të rëndësishëm në vendin tonë duke përmirësuar ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset, duke rritur aftësimin digjital, si dhe duke përmirësuar analizën dhe vizualizimin e të dhënave për të bërë që institucionet publike të marrin vendime më të mira dhe më të shpejta. Falë aftësive tona, vendosmërisë, dhe me mbështetjen e Bankës Botërore, ne do të kemi një rrugë të sigurt drejt përparimit dhe inovacionit të mëtejshëm teknologjik.”

Kontributi i Bankës Botërore në programin e inovacionit të shërbimeve publike të Shqipërisë fokusohet në përmirësimin e qasjes së barabartë dhe cilësisë së shërbimeve digjitale të zgjedhura, përkrah reformave institucionale kyçe.

Nga ky projekt, përfitimet janë mjaft domethënëse, në vizionin e një Shqipërie moderne, të përparuar dhe të gatshme për të qenë krah vendeve më të zhvilluara të Europës; akses më i lehtë i përdoruesve në shërbime të portalit e-Albania, falë thjeshtëzimit dhe ridizajnimit të tyre, por edhe përshtatjes për shtresat vulnerabël të shoqërisë; rritje e edukimit të duhur digjital, duke nisur nga kodimi që në klasë të parë, falë laboratorëve inteligjentë, deri tek aftësimi digjital i të rinjve dhe të rriturve, përmes qendrave të dedikuara në të gjithë vendin. Gjithashtu, nëpërmjet zgjidhjeve teknologjike të avancuara qeverisja do të bëhet më efikase në trajtimin vizionar të politikave të duhura për zhvillimin e vendit.