Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, znj. Mirlinda Karçanaj, u shpreh se rruga e Shqipërisë drejt zhvillimit teknologjik është realitet i pakthyeshëm, ndaj edhe strategjia e Agjendës Digjitale, për katër vitet e ardhshme, ka si kryefjalë, investimet në teknologji të fundit dhe aftësimin digjital të gjeneratës së re.

“Shqipëria ze vendin e parë në rajon për zhvillimet digjitale dhe këtë e vulosi OECD/SIGMA, që në raportin e fundit, vlerësoi Shqipërinë maksimalisht mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor për shërbimet publike. Kjo, falë këmbënguljes së kësaj qeverie për të revolucionarizuar jetën publike përmes digjitalizimit dhe investimit në teknologji të reja”, u shpreh znj. Karçanaj.

Duke vënë theksin se transformimi i plotë i shërbimeve publike, ku 95 për qind e tyre janë digjitalizuar e ofrohen online përmes portalit qeveritar e-Albania, kreu i AKSHI-t shtoi se realiteti i ri i krijuar është thirrje e hapur se e ardhmja i përket teknologjisë, ndaj të gjitha fondet e përbashkëta janë të mirëpritura.

“Qeveria do të investojë në teknologji të reja, Inteligjencë Artificiale, përpunim i të dhënave Big Data, Blockchain, etj. Po nxisim në bashkëpunim me ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët edhe akademi të tjera të mësimit të kodimit dhe presim që brenda vitit 2025, rreth 10 mijë të rinj shqiptarë të kenë marrë aftësi konkurruese”, shtoi më tej znj. Karçanaj.

Në aktivitetin e organizuar nga Qendra e Inovacionit për Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit ProTIK, në mjediset e TechSpace, me temë “Open the doors for Tirana Youth Capital 2022” dhe me qëllim ftesën publike të të gjithë partnerëve dhe aktorëve të ekostistemit TIK në Shqipëri, ishin të pranishëm ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, drejtues të AADF-së, përfaqësues të Bashkisë Tiranë, si dhe përfaqësues të komunitetit TIK në Shqipëri.