Në ambientet e ‘TechSpace’ u zhvillua këtë të mërkurë, një sesion informues i ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, z. Eduard Shalsi dhe Drejtoreshës së Përgjithshme së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, znj. Mirlinda Karçanaj, me të rinj të apasionuar pas fushës TIK dhe me startup-e që po synojnë krijimin e produkteve inovatore.

AKSHI, aktualisht po mbledh nevojat konkrete të përdoruesve të TechSpace për trajnime përmes një aplikacioni interaktiv per komunikim, sikurse është “Microsoft Kaizala”.

“Nga feedback-u i deritanishëm nga të rinjtë që kanë plotësuar formularin, kemi vënë re se në radhë të parë mbizotërojnë kërkesat për trajnime teknike, por një pjesë e madhe prej jush kanë kërkuar krahas tyre edhe trajnime menaxheriale. Interesi maksimal është për gjuhë programimi si C# dhe Python ndërkohë që për teknologjitë front-end mbizotërojnë angular dhe react. 70% e të rinjve që janë përgjigjur deri tani kanë shprehur interes për pjesëmarrje në trajnime lidhur me zhvillimin e aplikacioneve mobile native”, u shpreh znj. Karçanaj.

Kreu i AKSHI-t, institucion që menaxhon punën e ‘TechSpace’ inkurajoi të rinjtë që të plotësojnë formularin me udhëzimet e nevojshme, në mënyrë që të bëhen pjesë e trajnimeve që do zhvillojmë në javët në vijim.

Ndërkohë AKSHI është në fazën e konsolidimit të ideve për zhvillimin e një konkursi që do të ketë në qendër stimulin financiar për inovatorët e rinj më të suksesshëm.

Nga ana e tij, ministri Shalsi bëri me dije një iniciativë shumë interesante nga Bashkimi Europian e konceptuar si “EU for inovation” që do të mbështesë të rinjtë e apasionuar pas TIK. “Qeveria do të krijojë hapësirat komunikuese, – u shpreh z.Shalsi, – për të prezantuar këtë iniciativë për të rinjtë shqiptare”

Gjatë pyetje-përgjigjeve me të rinjtë, drejtuesja e AKSHI-t, ftoi të gjithë të interesuarit që të aplikojnë pranë portalit të Departamentit të Administratës Publike për t’u orientuar lidhur me praktikat e punës që ofrojnë institucione të ndryshme shtetërore shqiptare, duke u dhënë një mundësi konkrete të rinjve që kërkojnë të përfitojnë eksperiencë pune.

Gjithashtu, znj. Karçanaj njoftoi se së shpejti do të publikohet portali i mjekëve, ndërsa theksoi se për studentët portali i dedikuar u-Transparenca është në funksion të plotë për një larmi informacionesh dhe ndërveprimesh.

Shumë shpejt do të publikohet edhe axhenda e trajnimeve të larmishme që do të zhvillohen në ‘TechSpace’, ndërsa e gjithë veprimtaria është pa asnjë kosto financiare në ngarkim të frekuentuesve të labit.