Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Znj. Mirlinda Karçanaj, inspektoi dje ndryshimin rrënjësor të shërbimeve në drejtorinë e Transporteve në prani  të Kryeministrit Edi Rama, ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, si dhe Drejtorit të Përgjithshëm të DPSHTRR-së Blendi Gonxhja.

Znj. Karçanaj informoi të pranishmit për investimin e plotë në këtë institucion ç’ka mundësoi automatizimin e shumë shërbimeve që kanë nisur të jepen online për qytetarët nga 1 janari 2020.

“Për kuriozitetin e të gjithëve, qytetarëve do u kursejmë 90 vite pritje në radhë vetëm tek shërbimet për transportet përgjatë 2020”, tha znj Karçanaj.

Falë një vizioni e sinergjie të re mes AKSHI-t dhe DPSHTRR, kanë nisur tashmë implementimet për eARKIVËN me indeksimin e digjitalizimin e regjistrave fizik, eMONITORIMIN për një praktikë krejt të re për mbikëqyrjen e testeve të Lejedrejtimit me zë/figurë (Teori e Praktikë) dhe monitorimin e çdo ambienti shërbimi përmes një sistemi e pajisjesh të fjalës së fundit, si dhe ka mbaruar përditësimi 100% i sistemit eDM dhe eDPSHTRR, dy platformat elektronike kyçe të Regjistrave Kombëtarë të Drejtuesve të Mjeteve dhe të Mjeteve.

“Më përpara, patenta merrte 15-20 ditë kohë t’i dorëzohej qytetarit, sot bëhet brenda ditës në vetëm 30 minuta. Besoj se mund ta imagjinoni ndryshimin radikal, se çfarë lehtësie u kemi sjellë qytetarëve dhe bizneseve. S’ka më radhë, s’ka më stres, s’ka më humbje kohe, s’ka më kosto shtesë dhe s’ka më shans për korrupsion”, u shpreh znj. Karçanaj.

Investimet nga fondet e DPSHTRR, që shënojnë një kthesë historike në qasjen ndaj digjitalizimit e informatizimit nga ky ent, realizuar mes AKSHI-t, bënë të mundur që krahas shërbimeve online, të integrohen sistemet e informacionit ku në kohë reale jepet informacion për Policinë e Shtetit lidhur me heqjen e pikëve gjatë masave administrative për një leje drejtimi, por edhe për llojin e aksidentit dhe detaje të tjera, falë ndërveprimit elektronik me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare.

Sistemet e reja mundësojë nivele të reja transparence dhe monitorimi për çdo praktikë. Gjithashtu, po punohet me sistemin e kolaudimit dhe sistemin e regjistrit të barrës siguruese në mënyrë që jo vetëm të shmangen disa tarifa, por edhe të automatizohet si proces, pa qenë më nevoja të mbahet radhë nëpër sportele dhe për të integruar palë të treta që aplikojnë online.

Për herë të parë po ofrohen si shërbim publik shërbime që më parë nuk ekzistonin, si porositja e targës online, apo së shpejti nxjerrja e certifikatës së pronësisë me vulë elektronike.

Drejtoresha e AKSHI-t tha se nga 1 Janari janë 90 mijë përdorues online të këtyre shërbimeve dhe deri në fund të 2020-ës shtohen 30 shërbime të transporteve përmes portalit unik e-Albania.