Kodim dhe programim, mësim përmes argëtimit

Kodim dhe programim në kurrikulat mësimore edhe për klasat e para. Falë një platforme të re, fëmijët që ulën për herë të parë në bankat e shkollës do të përshtaten përmes lojës dhe argëtimit,  me konceptet dhe gjuhët e programimit.

Risia për publikun, u bë e ditur gjatë një vizite të Kryeministrit Rama dhe ministres së Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, në shkollën “Jeronim de Rada”, nga Drejtoresha e Inovacionit pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Romina Kostani.

Kryeministri Edi Rama theksoi se prej kësaj të hëne, vetëm në Tiranë janë hapur 100 laboratorët e parë ‘smart’ dhe brenda mandatit qeverisës synimi është të shtrihen në të gjithë vendin, për t’i dhënë mundësi fëmijëve, që nga klasa e parë të hyjnë në botën e teknologjisë.

“Janë 100 laboratorët e parë që ne i instalojmë në bashkëpunim me AADF-në. Ndërkohë kemi programin me Bankën Botërore dhe ndërkohë kemi edhe një plan që të mbështesim edhe ne nga pikëpamja buxhetore, duke bërë që i gjithë ky sistem të përhapet në të gjitha shkollat e vendit në një kohë të arsyeshme”, u shpreh Rama.

Gjatë Konferëncës Kombëtare për Arsimit, të mbajtur po sot, kryeministri Rama theksoi se: “Sipas llogarive të bëra dhe sipas praktikave të studiuara futja e fëmijëve që në klasë të parë edhe në mësimin e teknologjisë dhe marrja e këtij mësimi me kurrikulat përkatëse të standardeve më të mira europiane, siç janë ato që janë futur sot në 100 shkollat e para, bën që në fund të klasës së nëntë, sado e pabesueshme që duket, fëmija të ketë aftësitë e një koduesi të mirëfilltë dhe pasja e një koduesi të mirëfilltë do të thotë aftësi për t’u punësuar paralelisht në vazhdimin e mësimit.”

Cila është platforma, mbi të cilën do të mësojnë fëmijët e klasave të para?

Platforma e përzgjedhur mes shumë syresh është “CodeMonkey”, që sipas ekspertëve është ndër zgjidhjet më të mira dhe që do të përdoret për mësimin e lëndës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, në thelb të të cilës do të jetë të mësuarit përmes lojës.

Vizioni është është i qartë; Mbështetje fëmijëve sot, që nesër ata të jenë një brez ekselent fushën e teknologjisë, kërkesë e tregut global në tërësi.  Por jo vetëm; studimet tregojnë se futja e koncepteve te kodimit që në moshë kaq të vogël u zhvillon fëmijëve aftësitë e të menduarit kritik, i inkurajon të gjejnë zgjidhje kreative të problemeve, si dhe u zhvillon logjikën.

Për krijimin e krijimin e laboratorëve, hartimin e kurrikulave të përshtatshme dhe përzgjedhjen e platformës së përshtatshme, janë përfshirë institucionet përgjegjëse, duke nisur nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, si dhe ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj.