Në konferencën e zhvilluar për sfidat e sigurisë kibernetike në vend, ishte i pranishëm drejtori i Monitorimit dhe Mbrojtjes Kibernetike për Sistemet dhe Infrastrukturat elektronike qeveritare, pranë AKSHI-t, Enis Ylli, i cili raportoi për ecurinë dhe rritjen e nivelit të mbrojtjes së sistemit qeveritar, 7 muaj pas sulmit të meskorrikut.

Ylli përmblodhi në pak fjali ngjarjen intensive disaditore, që nga momenti i dedektimit të sulmit famëkeq në rrjetet qeveritare, në izolimin e mbylljen e shërbimeve elektronike të portalit e-Albania, deri në ringritjen dhe rivënien në funksion të sistemeve, duke vlerësuar masat efektive që u morën në kohë rekord.

”Shkalla e afektimit ishte vetëm 10% e disa sistemeve qeveritare që u rikuperuan në një periudhë shumë të shkurtër, brenda 10 ditëve, falë zbatimit të standardeve ndërkombëtare të rekuperimit nga incidente të tilla”, u shpreh Ylli. Shqipëria mori mbështetje domethënëse pas sulmit, falë partneritetit me Microsoft, si dhe nga FBI-ja, për investigimin e plotë të ngjarjes. Aktualisht, ekspertët sqarojnë se strukturat mbrojtëse janë rikonceptuar, si dhe janë në një nivel tjetër, duke iu përgjigjur me standard të lartë rreziqeve të vazhdueshme që vijnë nga sulmet kibernetike.

Përfaqësuesi i AKSHI-t, shtoi më tej se ndërtimi i sistemeve mbi bazën e zgjidhjeve teknologjike të bazuara në standarde të mirëpercaktuara dhe investimet strategjike për të bërë koordinimin e shkëmbimit të informacionit ndërmjet institucioneve ka mundësuar kalimin e 95% të shërbimeve publike online dhe marrjen e tyre në kohë reale nga qytetarët. Sigurisht që nëse nuk do ishte një investim strategjik i mirëmenduar, me standardet e mirë përcaktuara, kjo gje nuk do të arrihej kurrë  dhe nuk do të ishim krah vendeve të zhvilluara në digjitalizim. Padyshim që ky investim strategjik, kërkon edhe investim nga ana e cyber-it, pasi duhet të ecin paralel me njeri-tjetrin.