Shërbimet për certifikatën personale dhe familjare, ndër më të përdorurat tek portali e-Albania gjatë tetorit

Vendimi i Qeverisë, i marrë në mbledhjen e parë të këtij mandati, për shpërndarjen e certifikatave online ka dhënë rezultate të kënaqshme në vend.

Në zyrat e gjendjes civile udhëzohet çdo qytetar se certifikatat tashmë merren në rrugë elektronike përmes e-Albanias,  ndërsa certifikatat personale dhe familjare nuk iu duhen më në letër, pasi barra për sigurimin e këtij dokumenti dhe verifikimin e tij përmes portalit iu takon punonjësve të administratës publike.

Vendosmëria e qeverisë për zbatimin e plotë të vendimit, informimi i duhur zyrtar nëpër media, por edhe sqarimi i hollësishëm i asistencës dhe kanaleve të tjera informuese të Drejtorisë së Portalit e-Albania ka sjellë një rënie drastike të kërkesave të qytetarëve për certifikata. Aktualisht, sipas shifrave zyrtare të Bashkive Vlorë, Korçë dhe Kamëz, numri i kërkesave në sportele ka rënë në masën 70-80 %. Radhët e gjata nëpër sportele vlerësohen fenomen i së shkuarës.

Në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, kryetari i Bashkisë së Korçës, z. Sotiraq Filo shprehet se në institucionin që ai drejton janë caktuar personat përgjegjës për dhënien e certifikatave në rrugë elektronike, nga çdo drejtori brenda institucionit të bashkisë.

“Janë hapur user dhe është dërguar një listë e saktë me emrat e përdoruesve edhe tek Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Të gjithë personat e përcaktuar për të dhënë këtë shërbim janë trajnuar për ta kryer atë në mënyrë të saktë dhe të shpejtë’, shprehet z. Filo.

Edhe kreu i Bashkisë së Vlorës, z. Dritan Leli konfirmon se numri i aplikimeve për dokumente të gjendjes civile ka rënë ndjeshëm, ndërsa qytetarët po udhëzohen t’i marrin ato online.

“Fluksi ka rënë me rreth 70-80% më pak kërkesa në sportele. Oraret e pikut janë 10:00-11:00, por këto janë kërkesa lidhur me lindjet apo vdekjet, ndërsa pjesa e çertifikatave është totalisht online”, bëri me dije kryebashkiaku i Vlorës.

Certifikatat e printuara vijojnë të shpërndahen, por këto janë vetëm certifikatat për të mitur nën 16 vjec, certifikatat e lindjeve dhe të vdekjeve. Gjithashtu, në letër vijojnë të lëshohen certifikata historike, certifikata që vërtetojnë faktet specifike juridike, si dhe të gjitha llojet e tjera të certifikatave që shërbejnë për të udhëtuar jashtë vendit.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit gjatëve javëve të para të muajit tetor organizoi trajnimet të shumta për punonjësit e Administratës Publike, të cilët tashmë janë të përgatitur për të siguruar të dhënat personale dhe familjare të qytetarëve të paraqitur në sportelet e institucioneve shtetërore për të marrë një shërbim të caktuar.

Ndërkohë, shërbimet elektronike të certifikatës personale dhe familjare renditen ndër shërbimet më të përdorura në portalin e-Albania gjatë muajit tetor.