Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ngriti dhe krijoi me sukses platformën më të re shtetërore shqiptare, atë të punësimit për studentët ekselentë www.punetembare.gov.al, si dhe do të jetë përgjegjëse për mirëmbajtjen e saj në vazhdim.

Platforma u prezantua mesditën e 11 janarit, në Pallatin e Kongreseve, në prani të Kryeministrit Edi Rama, ministres të Arsimit në largim,  Znj. Lindita Nikolla, ministres së re znj. Besa Shahini, drejtoreshës së Departamentit të Administratës Publike, znj. Albana Koçiu dhe studentëve të ekselencës.

“Platforma që prezantohet sot është në vazhdë të platformave të tjera të suksesshme si ajo për Infermierët. Platforma hyn në fuqi sot dhe janë aktualisht 800 vende të hapura për punësim në shërbimin civil. Por, procedura e procesimit të vendeve vakante nëpër institucionet shqiptare vijon ende,” u shpreh Kryeministri Rama.

Kreu i qeverisë sqaroi se në një proces tërësisht transparent platforma është e hapur për të pritur regjistrimin e studentëve me mesatare 9.00-10 dhe se priten aplikime nga studentë të ekselencës që vijnë nga jashtë vendit, nga universitetet publike dhe ata private.

“Zgjedhjen e parë do ta kenë ata që vijnë nga jashtë, më pas ata që kanë studiuar në arsim publik dhe të fundit ata që kanë studiuar në arsimin privat. Përzgjedhja do të jetë tërësisht transparente online për të mos i lenë vend asnjë lloj dyshimi. Në institucione si ALUIZNI, Doganat, Hipotekat dhe në të gjitha agjencitë e mëdha të Shqipërisë çdo vend bosh të jetë në dispozicion për të më të mirët, u shpreh z. Rama.

Si funksionon platforma www.punetembare.gov.al?

Mjafton të klikoni në adresën e mësipërme, të kryeni fillimisht procesin e regjistrimit dhe më pas identifikimit. Në krye të platformës njiheni me numrin aktual të vendeve vakante dhe mund të informoheni me vendet e lira në institucionet pranë shërbimit civil dhe atyre jashtë këtij shërbimi. Mjafton të aplikoni për vendin ose vendet për të cilat kualifikimi juaj përmbush kërkesën. Gjithashtu në faqen e parë janë ndarë sipas kategorive pjesa e legjislacionit, aplikime për pozicionet vakante, profili im, pyetjet më të shpeshta dhe hapësira prej nga ku mund të kontaktoni në rast problematikash.

Si kryhet aplikimi në platformë?

Për të aplikuar në platformën www.punetembare.gov.al kandidati duhet të ngarkojë  dokumentet e mëposhtme:

  • Jetëshkrimi
  • Fotokopja e diplomës/diplomave;
  • Lista/listat e notave
  • Fotokopja e letërnjoftimit (ID);
  • Vetëdeklarimi i gjendjes gjyqësore

Mënyra e ngarkimit të dokumenteve është e përcaktuar në çdo shpallje. Gjatë procedurës, aplikuesi, mund të ngarkojë online fotokopje të dokumenteve. Më pas, në momentin e punësimit në pozicionin e përzgjedhur, kandidati fitues duhet të dorëzojë  versionin origjinal ose fotokopje të noterizuara të dokumenteve, pranë njësisë së burimeve njerëzore, të institucionit në të cilin do të fillojë punë.

Të interesuarit, mund të aplikojnë në të gjitha shpalljet e publikuara, të përshtatshme për ta.

Lidhur me njoftimin, nëse një kandidat përzgjidhet ose jo për një vend vakant, aplikuesi duhet të ndjekë publikimet në platformë, sipas datave dhe mënyrave të përcaktuara në shpallje.