Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), znj. Mirlinda Karçanaj mori pjesë në Kongresin e Dytë të Noterisë që u zhvillua më 16 dhjetor, me temë: “Dixhitalizimi, prioritet i aktivitetit modern të noterisë”.

Pjesëmarrja në konferencë erdhi vetëm pak ditë pas nënshkrimit të një marrëveshjeje mes AKSHI-t dhe noterëve, qëllimi i të cilës është koordinimi për ofrimin e shërbimeve elektronike nëpërmjet portalit unik qeveritar e-Albania ndaj subjekteve fizikë dhe juridikë, shtetëror dhe privat, duke shmangur pengesat administrative, si dhe ofrimin e këtyre shërbimeve në mënyrë më të shpejtë, efikase, transparente dhe me cilësi më të lartë.

“Kjo marrëveshje rregullon pozitën ligjore të noterëve në përdorimin e të dhënave që gjenerohen nga portali, për qytetarët që kërkojnë të marrin një shërbim prej tyre. Në momentin kur një qytetar kërkon të kryejë një procedurë të caktuar në zyrën e noterit, nuk ka më nevoje të ketë me vete certifikatën personale apo atë familjare, pasi është vetë noteri i cili duke aksesuar portalin, siguron në kohë reale të dhënat për të. Gjithashtu, përmes marrëveshjes, vetë noterët mund të aplikojnë për llogari të qytetarëve, në shërbime të ndryshme elektronike të ofruara përmes portalit e-Albania”, u shpreh znj. Karçanaj, në fjalën e mbajtur para të pranishmëve.

Kreu i AKSHI-t theksoi arritjet e portalit e-Albania me shërbimet elektronike që institucionet shqiptare ofrojnë përmes tij. Znj. Karçanaj theksoi se tashmë koncepti ‘dokumentacion në letër’ po zëvendësohet me shpejtësi me konceptin e dokumentacioneve online, të shkarkuara përmes portalit e-Albania, shoqëruar me vulën dixhitale.

“Kemi punuar fort gjatë kësaj kohe për të rritur ndërgjegjësimin publik se dokumentet e shkarkuara nga e-Albania janë të pajisura me vulën dixhitale, e cila është e vlefshme ligjërisht. Vetë Kryeministri z. Edi Rama ka bërë thirrje disa herë që qytetarët të ndërgjegjësohen dhe të mos pranojnë më kërkesa institucionale për dokumentacione në letër. Sot jemi në epokën dixhitale, pjesë e së cilës janë edhe shërbimet që institucionet ofrojnë për individët. Prej portalit e-Albania, sot qytetarët dhe biznesi shkarkojnë dokumentacione me vlerë ligjore, pas hyrjes në fuqi të vulës dixhitale. Përmes e-Albanias, institucionet shtetërore janë vënë në lëvizje duke konkretizuar me sukses disa prej projekteve madhore me anë të të cilave janë shtruar shinat e para ku do të udhëtojë Shqipëria e gjeneratës tjetër.Mbi 520 shërbime elektronike të institucioneve shtetërore ofrohen sot përmes portalit e-Albania, ndërsa mbi 700 të tjera janë shërbime informative. Shifrat që marrim çdo ditë janë impresionuese. Vetëm gjatë muajit nëntor janë gjeneruar online nga portali e-Albania rreth 20,000 vërtetime tatimore; mbi 97,000 certifikata të gjendjes civile; mbi 17,000 karta shëndeti. Vetëm një ditë më parë, listës me 26 dokumente shoqëruese, të cilat nuk kërkohen më nga sportelet e institucioneve shtetërore, iu shtuan edhe 3 dokumente të tjera të lëshuara nga Qendra Kombëtare e Biznesit që tashmë gjenerohen përmes portalit e-Albania: Ekstrakt i thjeshtë, ekstrakt historik dhe certifikata e regjistrimit (NUIS). Në total kemi mbi 360.000 përdorues të regjistruar”, u shpreh drejtuesja e AKSHI-t.

Në punimet e Kongresit të Dytë të Noterisë ishin të pranishëm Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, Presidentja e Dhomës Kombëtare të Noterëve, Mimoza Sadushaj, Presidenti i Unionit Ndërkombëtar të Noterëve, Jose de Llano, Nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maksim Haxhia dhe zyrtarë të tjerë.