Në ambientet e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit këtë të mërkurë u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes kreut të AKSHI-t, znj. Mirlinda Karçanaj dhe Presidentes së Dhomës së Noterëve, znj. Mimoza Sadushaj.

Prej sot, noterëve në mbarë vendin u hapet rruga ligjore që t’u vijnë në ndihmë qytetarëve dhe biznesit për përfitimin e shërbimeve publike të shtetit shqiptar, duke patur kështu një rol të ri në portalin qeveritar e-Albania.

Znj. Karçanaj u shpreh se qytetarët shqiptarë tashmë çlirohen nga detyrimi për të paraqitur një certifikatë personale apo familjare, kur paraqiten para një noteri për të marrë një shërbim ligjor prej tyre.

“Noterët e mbarë vendit do t’i verifikojnë të dhënat për qytetarin që iu është paraqitur në zyrën e tyre,  në kohë reale përmes Portalit e-Albania. Marrëveshja u mundëson noterëve të ndihmojnë qytetarët për aplikime në shërbime të ndryshme elektronike të ofruara përmes portalit e-Albania”, u shpreh kreu i AKSHI-t.

Znj. Karçanaj përgëzoi znj. Sadushaj për gatishmërinë e treguar dhe falenderoi të gjithë noterët e vendit, duke shprehur sigurinë se ata do të përqafojnë këtë zhvillim cilësor që do të lehtësojë punën e tyre, e njëkohësisht do ofrojë lehtësi për qytetarët dhe bizneset.

Presidentja e Dhomës së Noterëve, znj.Sadushaj vlerësoi maksimalisht arritjen e marrëveshjes, duke e konsideruar një zhvillim cilësor në punën e përditshme të noterëve.

Me nënshkrimin e marrëveshjes rregullohet pozita ligjore e noterëve në përdorimin e të dhënave që gjenerohen nga portali, për qytetarët që kërkojnë të marrin një shërbim prej tyre. Në momentin kur një qytetar kërkon të kryejë një procedurë të caktuar në zyrën e noterit, nuk ka më nevoje të ketë me vete certifikatën familjare apo një sërë vërtetimesh e certifikatash të tjera, pasi është vetë noteri i cili duke aksesuar portalin, siguron në kohë reale të dhënat për të.

Javët e ardhshme, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit do të organizojë trajnime për noterët, në mënyrë që ata të jenë aftë dhe të gatshëm për t’u shërbyer qytetarëve.

Ky është një tjetër hap progresiv që shënon AKSHI, institucioni përgjegjës për administrimin dhe menaxhimin e portalit unik qeveritar e-Albania. Aktualisht në portal ka mbi 520 shërbime elektronike tërësisht në funksion të individit dhe biznesit. Risia më e fundit në portal u regjistrua tre muaj më parë, me hyrjen në fuqi të vulës dixhitale, që iu bëri të mundur qytetarëve dhe biznesit të shkarkojnë online nga portali, një sërë dokumentesh me vlerë të plotë ligjore.