Kreu i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, znj. Mirlinda Karçanaj mori pjesë të enjten e 27 dhjetorit në takimin e organizuar nga ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, znj. Sonila Qato me bizneset e vendit, zhvilluar në ambientet e Kryeministrisë.

Duke folur para të pranishmëve, znj. Karçanaj, përmendi shkurtimisht disa të dhëna statistikore lidhur me shërbimet që ofrohen në portalin qeveritar e-Albania dedikuar biznesit.

Fillimisht, kreu i AKSHI-t përmendi një prej procedurave më të suksesshme që kryhet prej 3 vjetësh përmes portalit e-Albania, atë të dorëzimit të bilanceve përmbledhëse të bizneseve.

“Besoj se shumëkush këtu e ka përjetuar vite me parë makthin e dorëzimit të bilanceve në Qendrën Kombëtare të Bizneseve. 2017-a shënoi vitin e tretë që dorëzimi i bilanceve bëhet vetëm online. Mesatarisht 15 mijë bilance dorëzohen çdo vit në QKB, ndërsa janë evituar maksimalisht korrupsioni dhe vonesat burokratike. Për ta përmirësuar edhe më tej këtë shërbim, po punojmë për të zgjeruar numrin e fushave që paraplotësohen automatikisht nga sistemet gjatë formularit të dorëzimit të bilancit, për të lehtësuar edhe më tej biznesin, duke i kursyer kohë dhe duke rritur saktësinë e informacionit të dërguar”, u shpreh znj. Karçanaj.

Duke përmendur disa prej shërbimeve efikase për biznesin të ofruara nga institucionet përgjegjëse përmes portalit, si aplikime për lloje të ndryshme licencash, aplikimet për e-leje, drejtuesja e AKSHI-t bëri me dije se së shpejti biznesit do t’i mundësohet të kryejë online dhjetëra pagesa tatimore, duke nisur nga pagesa e tatim-fitimit, pagesa e tatimit të lojërave të fatit të biznesit, pagesa e tatimit mbi të ardhurat personale apo pagesa e taksave kombëtare.

“Nga ana tjetër- vijoi znj. Karçanaj, – nisma e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për kryerjen online të deklaratave doganore po merr formë konkrete dhe shumë shpejt do të gjeni në portal një pjesë të këtyre shërbimeve, ndërkohë që po punojmë ngushtë me institucionin për të mundësuar në formë elektronike të 24 aplikimet për deklarata doganore. Si një vlerë e shtuar e këtyre shërbimeve do të vijë edhe pajisja me nënshkrim elektronik e agjentëve doganorë, për të garantuar një aplikim më vlerë ligjore dhe sipas standardeve bashkëkohore”.

Me moton “e-Albania, në funksion të plotë për qytetarin dhe biznesin”, kreu i AKSHI-t, vlerësoi se 2017 konsiderohet një vit i frytshëm, pasi hyrja në fuqi e vulës dixhitale, u mundëson sot mijëra punonjësve të administratës publike të mos ia kërkojnë më në sportel qytetarit apo biznesit një listë prej 29 dokumentesh, por t’i gjejnë vetë ato duke e lehtësuar qytetarin nga barra e mbledhjes së dokumenteve.

Znj. Karçanaj ftoi të gjithë bizneset e pranishme që të sjellin sugjerime konkrete, në kuadër të qendërzimit të shërbimeve TIK, për të krijuar mundësi të reja për uljen e kostove për të gjithë qytetarët, qofshin këta biznese apo individë të thjeshtë.

Nga ana tjetër, ministrja Qato vlerësoi kontributin e deritanishëm të komunitetit të biznesit, të cilët kanë ofruar ekspertizën e tyre për një sërë projektesh madhore, ndërsa paraqiti një paketë propozimesh për sektorë që lidhen drejtpërdrejtë me ekonominë e vendit, si doganat, tatimet, bujqësia etj.