Një tjetër premtim i mbajtur për lehtësimin e procedurave për qytetarin dhe biznesin në marrjen e shërbimeve që ofrohen sot nga shteti shqiptar.
Në Vendimin e Këshillit të Ministrave marrë në mbledhjen e parë të këtij mandati të qeverisë, i është hapur rruga marrjes online të dokumenteve me vulë institucionale, duke patur vlerë ligjore të njëjtë si dokumentet në letër.
Në bazë të vendimit, dërgimi dhe pranimi i të dhënave kryhen në përputhje të plotë me legjislacionin që rregullon identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara, ndërsa vulosja e dokumenteve administrative elektronike, të gjeneruara nga transmetimi elektronik, garanton autenticitetin e dokumentit në formatin elektronik.
Si është procedura e përfitimit të dokumenteve me vulë elektronike?
Marrja e dokumenteve që përmbajnë vulën elektronike kryhet përmes identifikimit elektronik, në portalin e-Albania, duke gjeneruar dokumentin administrativ elektronik.
“Dokumenti i gjeneruar është i pajisur me vulë elektronike, e cila i bashkëlidhet dokumentit menjëherë pas gjenerimit të tij, ose në pikën fundore të portaleve qeveritare, në formatin PDF, përpara se të mundësohet përfitimi i tij nga aplikuesi”, thuhet në VKM-në e njohur ndryshe si Vendimi për Vulën Dixhitale.
Në vendim, saktësohet se vula elektronike i përket vetëm institucionit lëshues të dokumentit dhe aksesin mbi të e ka vetëm ky institucion.
Në terma më praktikë, tashmë procedurat janë më të thjeshta dhe veprimet e kryera online përmes një kompjuteri, tableti apo smartphone, gjithnjë duke përdorur portalin unik qeveritar e-Albania, mundësojnë shkarkimin në kohë reale të dokumentit me vlerë ligjore, dokument të cilin më parë qytetarët dhe bizneset e merrnin vetëm pasi qëndronin për orë të tëra në radhë nëpër sportelet fizike të institucioneve shtetërore.
Por cilat janë disa nga shërbimet elektronike të pajisura me vulë elektronike që ofrohen aktualisht nga institucionet përmes portalit e-Albania?
Vërtetim pensioni
Karta e shëndetit
Informacion zyrtar i pasurisë për individët dhe institucionet
Lëshim vërtetimesh (negativ/pozitiv)
Kopje te vërtetuara të dokumenteve tekniko-ligjore, në të cilat bazohet Regjistri i Pasurive të Paluajtshme / faqe
Certifikatë familjare
Certifikatë personale
Certifikatë nga akti i vdekjes
Certifikatë nga akti i martesës
Certifikatë nga akti i lindjes
Konfirmim për gjendjen aktive të mjetit
Vërtetim për lejen e drejtimit
Vërtetim për pagimin e kontributeve nga subjekti
Vërtetim për përgjegjësitë tatimore
Vërtetim për pagimin e kontributeve për individin
Vërtetim për regjistrim të investitorit
Vërtetim për pagim detyrimesh
Vërtetim statusi (aktiv, pasiv përfshirë datën)
Vërtetim xhiro për 3 vitet e fundit