Karçanaj: Nga 14 maji, certifikata e pronësisë merret me vulë elektronike, në vetëm 5 minuta

Nga data 14 maj, certifikata e pronësisë do të mund të merret me vulë elektronike, në vetëm 5 minuta. Si procesi i aplikimit, ashtu edhe pagesa apo ngarkimi elektronik i mandat pagesës në rastin kur qytetari nuk ka një kartë debiti apo krediti për të bërë pagesën online.

Lajmi u bë publik nga kryeministri Edi Rama, drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj dhe drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame, gjatë një takimi të transmetuar në kohë reale në rrjetin social facebook të kryeminisrit. “Aplikim për lëshim kopje kartele të pasurisë” quhet shërbimi më i ri online në e-Albania, i cili do t’i japë fund një gangrene të hershme në historinë e hipotekës: Sekserëve, bakshisheve nën dorë dhe pritjeve të gjata, që e kishin shndërruar hipotekën në vatrën më të zezë të korrupsionit në vend! Si edhe duke i dhënë qytetarëve një mundësi të re për ta marrë dokumentin e pronës së tyre nga shtëpia apo kudo ndodhen, thjeshtë, shpejt, me kosto minimaliste pa para nën dorë dhe pa pritje në radhë!

“Nuk kemi më sistemin e deri përpara disa kohësh me ALUIZNI-n nga njëra anë dhe Hipotekën, nga ana tjetër, po kemi Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, një sistem i integruar dhe shërbimet online në Kadastër janë pjesë e revolucionit digjital, që e kthen vitin 2020 në një vit transformimi të madh, duke lehtësuar qytetarët nga pritjet, ecejaket, rëndesat dhe për të krijuar një kornizë të plotë transparence, llogaridhënieje për të gjithë sistemin që u shërben qytetarëve në të gjitha shërbimet,” tha kryeministri Rama. Drejtoresha e Përgjithshme e AKSHI-t, Karçanaj theksoi se përveç se online, dokumenti i pronësisë do të mund të merret edhe me vulë elektronike, si një tregues që rrit sigurinë e dokumentit që gjenerohet online. “Ky shërbim merret tani fare thjeshtë. Nëse skanohet QR kodi, i cili gjendet në vulën elektronike, shfaqet kopja e vërtetë e dokumentit. Me këtë risi, ne u krijojmë lehtësi jo vetëm qytetarëve, por dhe gjithë industrisë së ndërtimit; do të shkurtohet ndjeshëm koha e institucioneve vendore dhe qendrore që kanë komunikim të përditshëm me Kadastrën; do të ndryshojë sjellja e tregut imobiliar, por edhe e noterëve, të cilët do të jenë shumë më të shpejtë në transaksionet e tyre të përditshme”, u shpreh znj. Karçanaj. Edhe drejtori i ASHK-së vlerësoi rëndësinë e këtij transformimi radikal në shërbim të qytetarëve, që tanimë aplikimin për shërbimet e pronës do ti kryejnë online, pa qenë më nevoja për të shkuar në sportele apo bankave, nëse kanë një kartë debiti apo krediti.

Si merret dokumenti i pronësisë, online përmes e-Albania?

*Identifikohuni si qytetar ose si biznes në portal;
*Zgjidhni shërbimin “Aplikim për lëshim kopje kartele të pasurisë” https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=9461
*Klikoni butonin “Përdor”;
*Plotësoni formularin elektronik me të dhënat e nevojshme mbi pronën, shërbimin/shërbimet e kërkuara dhe taksat e nevojshme;
*Klikoni butonin “Dërgo” në faqen e fundit të formularit;
*Shkarkoni mandatpagesën me të cilën mund të paraqiteni në bankë për të kryer pagesën ose kryeni pagesën online përmes portalit e-Albania me një kartë debiti ose krediti;
*Punonjësi i ASHK-së proceson kërkesën dhe në varësi të vendimit që merret, i kthen përgjigje aplikuesit;
*Përgjigjen do ta gjeni në hapësirën: “Dokumentet e mia” në llogarinë tuaj në e-Albania.