Duke nisur nga 8 korriku, në portalin e-Albania do të qëndrojnë të hapura aplikimet për regjistrimin e fëmijëve në klasën e parë dhe të dhjetë për vitin shkollor 2024-2025. Procedura në të dyja rastet kryhet nga prindërit ose personat që janë nën kujdes ligjor të të miturve, përmes shërbimeve specifike.

Për klasën e parë, aplikuesit kanë një lehtësi më shumë, për shkak se kartela e vaksinave të fëmijëve deri në moshën 7-vjeçare do t’i shkojë automatikisht shkollës ku do të mësojë fëmija nëpërmjet SMIP, sistemit modern dedikuar Arsimit Parauniversitar. Përvec kësaj, me ndryshimet në Ligjin për Arsimin Parauniversitar, nga ky vit kanë mundësi të regjistrohen në klasë të parë edhe 5-vjeçarët  me kushtin që të mbushin 6 vjeç deri në datën 31 dhjetor të 2024. Ky vendim nuk është i detyrueshëm, por mbetet në dorën e prindërve nëse vlerësojnë se fëmijët e tyre kanë përgatitjen e zhvillimin e duhur për të filluar rrugëtimin arsimor më herët.

Aplikimi online është fare i thjeshtë dhe i vetmi dokument që ngarkohet është vetëm në rastin e kujdetarisë ligjore ose në rastin kur aplikimi është jashtë zakonës së banimit, ku fëmijës i takon të studiojë sipas përcaktimit automatik që shfaqen në formularin elektronik, sipas vendbanimit të familjes.

Pasi zgjidhet shërbimi elektronik “Regjistrimi në klasë të parë”, https://shorturl.at/PDOMS , prindërit ose kujdestarët ligjorë plotësojnë formularin elektronik dhe automatikisht aplikimi i mbërrin shkollës ku i takon fëmijës të mësojë pranë zonës ku banon. Pas trajtimit dhë aprovimit të aplikimit, është vetë shkolla që njofton aplikantët për pranimin e regjistrimit të fëmijës. Në rast refuzimi të aplikimit, prindi ose kujdestari ligjor njoftohet brenda 5 ditësh për të vijuar aplikimin në institucionit arsimor ku i takon regjistrimi i fëmijës.

Regjistrimi në klasë të dhjetë

Ndërkohë paralelisht kanë nisur aplikimet për regjistrime edhe në klasën e dhjetë, duke përfshirë shkollat e mesme profesionale, si dhe me kohë të pjesshme për personat mbi personat mbi 18-vjeç.

Për prindërit apo kujdestarët ligjorë që do të regjistrojnë fëmijët në klasë të dhjetë, nëpërmjet e-Albania, ofrohet një procedurë e thjeshtë aplikimi që realizohet në vetëm pak minuta.

Nëse aplikuesit përzgjedhin gjimnaz ose shkollë të mesme të orientuar, formulari elektronik plotësohet automatikisht. Kujdestarët ligjorë, në çdo rast aplikimi duhet të ngarkojnë dokumentin verifikues, ndërkohë që vetëm në rastet e shkollave sportive duhet të ngarkohet vetëm raporti mjekësor. Dëftesa e lirimit, që më parë ngarkohej si dokument më vete, tashmë kalon automatikisht pranë shkollës ku kërkohet të kryhet regjistrimi, nëpërmjet SMIP.

E njëjta procedurë kryhet edhe për aplikimet në shkollat të mesme profesionale, por përzgjedhja e shkollës bëhet pavarësisht zonës gjeografike apo vendbanimit. Në klasën e dhjetë të arsimit të mesëm profesional pranohen nxënës të moshës jo më të madhe se 18 vjeç dhe lejohen të ndjekin shkollën deri në moshën 22 vjeç.

Regjistrimi në arsimin profesional ka edhe disa avantazhe shtesë:

  • Vajzat që regjistrohen në arsimin profesional përfitojnë 50 % të bursës.
  • Të gjithë nxënësit që regjistrohen në drejtimet mësimore: bujqësi, veterinari, pyje, ndërtim, peshkim, detari, gjeologji-miniera dhe shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit, përfitojnë bursë për të gjitha vitet e shkollimit.
  • Pas mbarimit të Arsimit Profesional, nxënësit pajisen me aftësi që kërkon tregu i punës, dhe nuk penalizohen në vijimin e studimeve universitare.

Gjithashtu, për të gjithë nxënësit që janë regjistruar në një gjimnaz apo në një shkollë tjetër, dhe kanë dëshirë të vijojnë studimet në arsimin profesional, kanë të drejtë të bëjnë çregjistrimin apo anulimin e aplikimit deri një ditë para vazhdimit të shkollës dhe mund të regjistrohen në shkollat e Arsimit Profesional.

Kurse, për regjistrimet në gjimnaze me kohë të pjesshme mbi 18 vjeç, aplikimet kryhen nga vetë të interesuarit, përmes llogarisë së tyre personale, në portalin e-Albania.

Aplikimet për regjistrimet në ciklin parauniversitar dhe të gjithë shërbimet arsimore në e-Albania janë pjesë e buqetës së lehtësive që ka mundësuar digjitalizimi, duke sjellë përfitime të drejtpërdrejta të qytetarëve dhe bizneseve.