Qytetarët, besim tek e-Albania

Vetëm 24 orë pas njoftimit publik nga ana e Kryeministrit Edi Rama, se qytetarët do të duhet të aplikojnë për të përfituar nga shërbimi elektronik “Leje për dalje”, janë regjistruar mbi 22 500 kërkesa, të cilave iu është kthyer përgjigjja e miratimit online.

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit ka shprehur kënaqësinë e plotë për përdorimin efikas të shërbimit nga përdoruesit, duke theksuar se ky reagim tregon besimin e qytetarëve te teknologjia dhe tek platforma e-Albania.

“Përtej mërzisë, acarimeve të momentit, tërësisht të kuptueshme në kushtet e izolimit, qytetarët kanë treguar një maturi dhe sjellje për t’u admiruar. Me durim, minutë pas minute, ata po ndjekin procedurën e thjeshtë të marrjes së leje-daljes, në e-Albania! Kjo sjellje do na shpërblehet në ditët dhe javët në vazhdim me më pak të dala dhe me më shumë jetë të mbrojtura”, shkruan kreu i AKSHI-t në komunikimin e saj me publikun përmes rrjeteve sociale.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit tregoi edhe në një rast emergjence si ky, se është në funksion të plotë dhe po punon me të gjitha kapacitetet për të qenë pranë qytetarëve shqiptarë në këto ditë të jashtëzakonshme që po jetojmë,si pasojë virusit të rrezikshëm Covid-19.