Shqipërisë i shtohet edhe një aleat tjetër, në rrugën e saj të zhvillimit të projekteve dhe iniciativave, në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit

SH.T.Z Abdulla Lootah, zëvendësministër i Çështjeve të Kabinetit për Konkurrencën dhe Shkëmbimin e Përvojave,SH.T.Z Sulieman AlMazroui, Ambasador i Emirateve të Bashkuar Arabe në Greqi dhe ambasador jorezident në Republikën e Shqipërisë, Znj. Manal BinSalem, Drejtuese e grupit të Programit të Shkëmbimit të Përvojave Qeveritare, shoqëruar nga një delegacion ekspertësh, gjatë vizitës së tyre në Tiranë, u pritën në TechSpace nga drejtuesja e AKSHI-t, Znj. Mirlinda Karçanaj dhe stafi i saj organizativ.

Qëllimi i takimit ishte krijimi e urave të para të bashkëpunimit mes dy vendeve mike për projekte konkrete në fushën e TIK dhe kodimit.

“Emiratet e Bashkuara Arabe janë një vend lider në investime miliardëshe në teknologjinë e informacionit. Ku do nisim një bashkëpunim që do i sjellë shumë Shqipërisë. E ardhmja do jetë plot mundësi për teknologjinë dhe do kemi shumë punë përpara”, u shpreh Karçanaj. Kreu i AKSHI-t vlerësoi se kontributi i UEA-s do të jetë mjaft i vlefshëm, ndaj shprehu entuziazmin për nisjen sa më parë të bashkëpunimit dhe zbatimit të nismave të para bilaterale.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit synon përmes Agjendës Digjitale të rrisë me disa fish kapacitetet e Shqipërisë në vitet e ardhshme, duke nisur fillimisht me edukimin. Shqipëria do të ketë së shpejti 200 laboratorë të teknologjisë në shkolla bashkë me mesues të trajnuar siç duhet, të cilët do të jenë të aftë të mësojnë fëmijët me kurikulën më të mirë ndërkombëtare. Të paktën 10 qendra moderne rinore kreative në 10 qytete të Shqipërisë do të jenë funksionale dhe do t’u mundësojnë nxënësve të gjithë bazën materiale për të vënë në jetë aftësinë e tyre digjitale.