Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) shpreh mbështetjen e plotë për deklaratën e fundit të Këshillit të Bashkimit Evropian, mbi fushatat keqdashëse, të vazhdueshme kibernetike të aktorëve rusë, kundër Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës Çeke.

Ne jemi vetë dëshmitarë të këtyre veprimeve të dëmshme, duke qenë target i një fushate të madhe nga këto grupe të sponsorizuara në formë shtetërore nga Rusia, të cilat synojnë vende anëtare të BE-së. Grupet e sofistikuara, të sponsorizuara nga shteti rus kanë tentuar dhe vijojnë të tentojnë të imponojnë prezencën e tyre në hapësirën kibernetike qeveritare shqiptare. Këto përpjekje janë një kërcënim i qartë ndaj integritetit dhe sovranitetit të infrastrukturave tona kritike.

Shqipëria bashkohet me shqetësimin e shprehur nga partnerët ndërkombëtarë dhe dënon fuqimisht veprimet keqdashëse, që tentojnë të minojnë sovranitetin europian. Ne përkushtohemi të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me aleatët tanë për të mbrojtur dhe promovuar një ekosistem kibernetik të lirë dhe të sigurt, ku infrasktrukturat tona janë të mbrojtura nga kërcënimet e jashtme.