Karçanaj: Lamë pas vende anëtare të BE-së

Në raportin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për vitin 2021-2022, Shqipëria është ngjitur në vendin e 17-të në treguesin e shërbimeve publike, duke zënë vendin e parë në rajon e duke lënë pas vende të rëndësishme të Bashkimit Europian.

e-Qeverisja në Shqipëri vlerësohet sërish pozitivisht në listën me 51 shtete të marra në studim nga raporti. Treguesi i e-Qeverisjes përfshin informacionin online për ligjet, nismat apo shpenzimet publike, shërbimet elektronike të disponueshme për publikun, si dhe pjesëmarrjen elektronike, konsultimet me palët e interesuara në lidhje me nismat apo projektet e reja.

Pas publikimit të raportit, Kryeministri Edi Rama, me anë të një postimi në rrjetet sociale, njoftoi qytetarët për rritjen e Shqipërisë nga vendi i 33-të në atë të 17-së, duke shtuar se në 30 prill do të mbyllen sportelet e shërbimeve me dokumente dhe do t’i jepet një goditje vendimtare korrupsionit, radhave e zvarritjeve për marrjen e një dokumenti shtetëror.

Edhe drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj, theksoi se raporti i BERZH-it dokumenton punën e madhe të qeverisë me shërbimet publike online dhe se arritja i jep Shqipërisë avantazhin e madh në zhvillimin e ekonomisë dhe imazhit të saj, në tërheqjen e investitorëve të huaj.

Më herët edhe OKB, OECD, DASH dhe Komisioni Europian i kanë dhënë Shqipërisë vlerësimin maksimal në qeverisjen dixhitale, si një tregues i rëndësishëm i mirëqenies së qytetarëve të një vendi.