Rama: Lajm fantastik! Karçanaj: Godasim korrupsionin e bakshishet

Prej datës 1 maj 2022, sportelet fizike në institucionet shtetërore do të mbyllen përfundimisht, duke e çuar një tjetër nivel komunikimin mes qytetarëve dhe shtetit.

Në aktivitetin informues për zgjerimin e shërbimeve online dhe mbylljen e sporteleve fizike, në prani të kryeministrit Edi Rama, ministres së Shtetit për Standardet e Shërbimeve dhe drejtuesve të disa institucioneve të rëndësishme shtetërore, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj u shpreh, se shërbimi i administratës publike ndaj qytetarëve dhe bizneseve tashmë ndryshon plotësisht, për dy arsye themelore:

“Për herë të parë do kemi një sistem që do monitorojë punën e administratës dhe brenda vitit do arrijmë që përmes Sistemit të Qarkullimit të Dokumenteve me Nënshkrim Elektronik të monitorojmë punën e administratës për kthimin e përgjigjeve. Së dyti, shërbimet që nuk kanë nevojë për prezencë fizike do të merren vetëm nëpërmjet e-Albania dhe jo më në sportelet fizike. Me reduktimin në masë të sporteleve dhe sportelistëve godasim njeherë e mirë korrupsionin e bakshishet. Kursejmë kohë, para dhe i japim fund përgjithmonë pritjeve në radhë,” u shpreh Karçanaj.

Kreu i AKSHI-t bëri me dije edhe ambicjen për dy vitet në vazhdim, për të ngritur një sistem të qendërzuar për punën e administratës publike, për të kaluar tërësisht në një administratë pa letër.

Digjitalizimi është e vetmja mënyrë, – tha Karçanaj, –  për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe bizneseve dhe për të fuqizuar ekonominë.

Edhe Kryeministri Rama, në fjalën e tij, theksoi se revolucioni digjital, i cili po transformon rrënjësisht marrëdhëniet e shtetit me qytetarët, duke hedhur bazat e një sistemi të sigurt antikorrupsion në shërbimet e ofruara, shënon tashmë një fazë të re, të ofrimit të shërbimeve me dokumente përmes platformës kombëtare digjitale.

“Vendimi është i prerë, në datën 1 maj  nuk ka më sportele në Republikën e Shqipërisë e të jeni të sigurt që kjo do funksionojë, edhe pse në fillim mund të ketë disa ngërçe,” theksoi Rama.

Kreu i qeverisë, vlerësoi ndër të tjera, se ky zhvillim eksponencial e bën Shqipërinë, vendin ku fjala shërbim për qytetarët dhe fjala shërbim nga shteti të marrë kuptimin e plotë.

“Sot, ky është një lajm fantastik për të gjithë qytetarët shqiptarë sepse kush nuk do që të hyjë në atë kanalin, ku pastaj përfundon me xhepa të shpuar nga duart e të tjerëve që të futen në xhep për të marrë bakshishin e radhës, nuk ka nevojë fare as të njohë njeri, as të flasë me njeri, as të interesohet me njeri sepse mjafton të hyjë nëpërmjet telefonin apo kompjuterit dhe të bëjë aplikimin për gjithë ato shërbime të të gjithë gamës së shërbimeve shtetërore,” shtoi kryeministri.

Me zhvillimin e fundit ndryshon përgjithnjë shërbimi i administratës publike ndaj qytetarëve dhe biznesit duke shënuar një etapë historike të digjitalizimit të Shqipërisë, si vend lider në rajon në këtë fushë.