Në një takim krejt të veçantë pranë “TechSpace”, një prej ambienteve më të bukura në kryeqytet dedikuar teknologjisë, gra dhe vajzave të suksesshme të fushës së Teknologjisë së Informacionit morën pjesë në aktivitetin me temë “Gratë në Tech”.

Gjatë bashkëbisedimit u fol për rolin e vajzave dhe grave në fushën e Teknologjisë së Informacionit, punës së tyre të përditshme, sfidat dhe ambicjet.

Të pranishme në eventin e organizuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ishin pedagoge, drejtuese dhe përfaqësuese të shkollës së mesme profesionale ‘Hermann Gmeiner’ dhe ‘Gjergji Canko’, studente, pjesëmarrëse të TechSpace, etj.

Drejtoresha e AKSHI-t, znj. Mirlinda Karçanaj u shpreh se 8 Marsi është dita në të cilën vajzat dhe gratë përpiqen të manifestojnë në sinkron forcën e dijes dhe aftësive duke folur për arritjet personale, arritjet e përbashkëta dhe synimet e gjithësecilës.

“Ndërveprimi dhe bashkëpunimi ynë është i frytshëm në sajë të seriozitetit, përkushtimit dhe devotshmërisë që të gjitha së bashku japim për zhvillimin e nismave dhe detyrave që kemi marrë përsipër të çojmë përpara. Rreth dy dekada më parë, vajzat dhe gratë, pjesë e sektorit zhvillues të teknologjisë, ishin të pakta në numër; me kalimin e viteve raporti ndryshoi. Aktualisht në Shqipëri, në institucionin kryesor përgjegjës për TIK, vajzat dhe gratë zenë 55 për qind të pozicioneve drejtuese, falë aftësive, cilësive, korrektisë, përkushtimit në punë, përgjegjshmërisë që tregojnë. AKSHI shërben si një shembull frymëzues dhe emancipues, së bashku më të tjerë institucione shtetërore, ku zonjat, falë kapaciteteve profesionale ia kanë dalë të zenë pozicione drejtuese që deri pak vite më parë mbaheshin vetëm nga kolegët meshkuj”, u shpreh znj. Karçanaj.

E pranishme në takim, Prof. Dr Kozeta Sevrani,  pedagoge e Informatikës dhe e Sistemeve të Informacionit të Menaxhimit shprehu kënaqësinë dhe vlerësimin e saj për të gjitha vajzat dhe gratë që ia kanë dalë të kenë sukses në fushën TIK. Znj. Sevrani solli eksperiencën e saj personale, duke rrëfyer për sfidat personale dhe vështirësitë e hasura për të qenë një grua e suksesshme dhe mbi të gjitha profesioniste në fushën e saj.

Ndër zonjat e tjera të pranishme në event ishte edhe drejtoresha e shkollës së mesme profesionale TIK “Hermann Gmeiner”, znj. Heide Gjoni, e cila edhe ajo tregoi për sfidat profesionale, ndërsa shprehu vlerësimin maksimal për vajzat e shkollës të cilën drejton, pasi janë ambicioze dhe mjaft të përkushtuara në studimet e tyre.

Në fund të takimit, mes drejtoreshës së AKSHI-t dhe znj. Hedie Gjoni, u nënshkrua një marrëveshje mirëkuptimi për kryerjen e praktikës profesionale sipas drejtimeve specifike që ata ndjekin të nxënësve të shkollës teknike elektronike “Gjergj Canco” dhe shkollës për Teknologji Informacioni dhe Komunikimi “Hermann Gmeiner” pranë ambienteve të AKSHI-t.