“20 mijë e 561 fermerë kanë kërkuar të marrin kartën me naftë falas në platformë”

Përfundon afati për të marrë kartën e naftës falas, me një numër rekod aplikimesh nga fermerë në të gjithë Shqipërinë.

“REKORD!
20 561 fermerë aplikuan për naftë falas në e-Albania.

Në vetëm 75 ditë që nga data e çeljes së aplikimeve e deri në mbylljen e tyre, si asnjëherë tjetër 20 mijë e 561 fermerë, aplikuan për t’u bërë pjesë e skemës mbështetëse për karburantin”, shkruan në postimin e saj në facebook, Drejtoresha e përgjithshme e AKSHI-t, Linda Karçanaj.

Skema Kombëtare Mbështetëse me Karburant u shtri në të gjithë vendin, në datat 15 janar-31 mars.

Për herë të parë, fermerët patën mundësi të aplikonin online nga kompjuteri i shtëpisë apo smartfoni i tyre deri në fshatin më të largët të Shqipërisë, pa asnjë burokraci, duke u dhënë një mundësi të gjithëve, të bëheshin pjesë e një prej skemave, që mbështesin direkt bujqësinë.

Në platformën e-Albania kanë nisur gjithashtu aplikimet për një skemë që ka përsëri në fokus fermerët.

Skema Kombëtare të Mbështetjes për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural u jep mundësi të gjithë fermerëve të aplikojnë online në e-Albania për të përfituar direkt nga mbështetja financiare e Qeverisë Shqiptare. Aplikimet nisën në datën 24 mars dhe përfundojne më 15 prill, si një hapësirë e re që falë teknologjisë do të jetë gjithëpërfshirëse, duke rritur prodhimin vendas dhe formalizuar tregun.