Për të dytin vit radhazi, aplikimet e punonjësve të administratës publike për kredi të lehtësuara për banesa do të kryhen nëpërmjet portalit e-Albania. Nga masa lehtësuese do të përfitojnë 300 punonjës, të cilët do të përzgjidhen nga vetëm gjashtë ministri, me kuota të ndryshme dhe me vlerësimin sipas një sistemi pikëzimi të paracaktuar.

Aplikimi online, që do të qëndrojë i hapur për 30 ditë, sërish do t’u mundësojë punonjësve të administratës aplikim të shpejtë dhe të lehtë, me një procedurë që përfundon në pak minuta.

Nëpunësit e administratës mund të aplikojnë online në portalin e-Albania nëpërmjet shërbimit elektronik: “Aplikim për trajtimin me kredi të lehtësuar të të punësuarve në administratën publike për blerjen e banesës” – https://e-albania.al/ealbaniaservices/useservice.aspx?service_code=15809

Përpara nisjes së procedurës, qytetarët e interesuar duhet të plotësojnë formularin elektronik dhe të ngarkojnë dokumentet, dy prej të cilave mund t’i sigurojnë gjithashtu nga e-Albania:

· Kopje e certifikatës së pronësisë për banesën, së bashku me rivlerësimin e saj. Në rastin kur aplikanti, anëtarët e familjes sipas certifikatës familjare apo bashkëjetuesi/sja ka një pasuri të paluajtshme, por i mungon dokumenti, mund ta përfitojë duke përdorur shërbimin “Aplikim për lëshim certifikatë pronësie” – https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=9482.

· Vërtetim negativ nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, që në emer të kryefamiljarit dhe anëtarëve të familjes nuk figuron banesë e regjistruar ose në proces regjistrimi (nëse nuk ka një pasuri të tillë). Edhe për këtë dokument, personat e interesuar, mund të aplikojnë nëpërmjet e-Albania në shërbimin “Aplikim për lëshim vërtetimesh (negativ/pozitiv për të gjithë territorin)” – https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=13978

· Marrëveshje noteriale për bashkëjetuesin/en (nëse ka bashkëjetues/e)

Me të plotësuar me sukses formularin elektronik, të dhënat për veten dhe anëtarët e familjes, bashkëjetuesit/es, pas ngarkimit të dokumenteve të kërkuara dhe dërgimit me sukses të aplikimit, brenda një afati kohor jo më shumë se 30 ditë pune, përgjigjja për aprovimin apo refuzimin e tij, do t’i mbërrijë aplikantit në rubrikën “Mesazhet e mia” në profilin e tij, në portalin e-Albania. Në rast aprovimi, elektronikisht aplikanti njoftohet lidhur me udhëzimet për vijimin e procedurave të tjera.

Sipas vendimit të 19 qershorit 2024 të Këshillit të Ministrave, për 300 kuotat për kredi të lehtësuara për administratën publike ndarja do të jetë në këto shifra:

· Ministria e Brendshme – 90 përfitues

· Ministria e Mbrojtjes – 90 përfitues

· Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural – 30 përfitues

· Ministria e Arsimit dhe Sportit – 30 përfitues

· Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale – 45 përfitues

· Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe inovacionit – 15 përfitues

Kushtet për të qenë pjesë e skemës përfituese, janë qartësuar që në krye të nisjes së procedurave, duke nisur nga domosdoshmëria e të qenurit të punësuar në administratën publike, mungesa e një banese, apo jetesa në apartamente të vogla me numër të madh anëtarësh.

Ndër kriteret për t’u bërë pjesë e skemës rimbursuese është edhe fakti se aplikantët duhet të kenë një numër të caktuar vitesh të punësuar në administratën publike, në momentin e aplikimit. Kjo periudhë kohore varion nga 1 deri në 7 vite punësimi në administratë.Gjithashtu, në varësi të ministrisë në të cilën janë të punësuar, aplikantët duhet të t’i përkasin kategorive

-Familje e re

-Të rinj me moshë jo më të madhe se 40 vjeç

– Familje njëprindërore, që kanë në ngarkim fëmijë

Një tjetër kriter i veçantë që duhet të plotësohet është për kuotat e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit; në momentin e aplikimit, punonjësit duhet të jenë të punësuar me kohëzgjatje të pacaktuar në institucionet publike të arsimit parauniversitar. E këta të fundit, nëse i përkasin kategorisë “Familje e re”, duhet që të dy bashkëshortët të jenë punonjës arsimorë ose të jenë punësuar në një shkollë 100 kilometra larg vendbanimit aktual.

Përjashtohen nga aplikimi, punonjësit që kanë banesë në proces regjistrimi e legalizimi ne emër te tyre dhe anëtarëve të familjes sipas certifikates familjare, si dhe të bashkëjetuesit/es, jetojnë në shtëpi me hapësira normale banimi, që kanë në emër të tyre dhe anëtarëve të familjes sipas certifikatës familjare, si dhe të bashkëjetuesit/es pasuri të paluajtshme në pronësi, me vlerë mbi gjysmën e shumës së vlerës përkatëse të banesës që duan të marrin kredi, që kanë në emër të tyre dhe anëtarëve të familjes sipas certifikatës familjare, si dhe të bashkejetuesit/es pasuri të luajtshme në pronësi, më vlerë mbi gjysmën e shumës së vlerës përkatëse të baneses që duan të marrin kredi apo ata që janë aktualisht përfitues nga programet e strehimit social, ai/ajo vetë ose anëtarët të familjes së tij, sipas certifikatës familjare, si dhe të bashkëjetuesit/es.