Progres Raporti: AKSHI zbatoi me sukses Agjendën Digjitale 2020-2022

 

Komisioni Europian, përmes Progres Raportit të fundit, ka vlerësuar pozitivisht platformën gjithëpërfshirëse për shërbimet digjitale dhe realizimin e plotë të shërbimeve online në një kohë të shpejtë.

Raporti u prezantua publikisht nga Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Olivér Várhelyi,  ndërkohë që në kapitullin e 10-të të tij “Transformimi Digjital dhe Media”, AKSHI u vlerësua për realizimin e aktiviteteve të Agjendës Digjitale 2020-2022 dhe hartimin me sukses të Agjendës së re 2022-2026.

“Plani i veprimit i rishikuar 2020–2022 i Agjendës Digjitale vazhdoi të zbatohej dhe disa nga aktivitetet e përfunduara përfshinin digjitalizimin e arkivave për Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, Sistemin Kombëtar të Shërbimit të Punësimit “Dua Punë”, platforma elektronike e-Transport, dixhitalizimi i shërbimeve doganore, sistemi i e-Faturës dhe Sistemi Kombëtar i Informacionit Pyjor. Progres i mëtejshëm është arritur me miratimin e Axhendës Dixhitale 2022–2026 dhe me shërbimet e qeverisjes elektronike,” thuhet në Progres Raport.

Në Raport vlerësohet edhe se Ligji për Dokumentet Elektronike, Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besuara lidhur edhe me biznesin online është miratuar në vitin 2021, duke përafruar plotësisht legjislacionin kombëtar me Rregulloren eIDAS të BE-së.

Raporti vijon se “Gjatë periudhës raportuese, 95% e aplikimeve për  shërbime publike kryhen online, me 6,295,567 dokumente të vulosura elektronikisht në vitin 2021 nga 2,537,042 përdorues të regjistruar (2 336 510 qytetarë dhe 200 532 biznese) në portalin e-Albania. Kjo shkon në 13 771 931 përdorime të shërbimeve elektronike në vitin 2021.”

Në lidhje me sigurinë kibernetike raporti thekson se Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike ka ndërmarrë disa hapa të rinj për të harmonizuar më tej Ligjin për Sigurinë Kibernetike me Direktivën e BE-së për sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve të informacionit, e se Shqipëria ka krijuar një listë të infrastrukturave kritike të informacionit dhe legjislacionin e nevojshëm zbatues. Strategjia Kombëtare për Sigurinë Kibernetike 2020–2025 dhe Plani i saj i Veprimit janë në fuqi që nga viti 2020.