Shqipëria merr pjesë në punimet e Grupit të Punës për Sigurinë dhe Përdorimin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit 2021-2025, të ngritur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Drejtuesja e AKSHI-t Linda Karçanaj, gjatë fjalës së saj, vlerësoi se sulmet kibernetike po bëhen më të sofistikuara, ndërkohë që grupet e sponsorizuara nga shtetet e krimi i organizuar kibernetik, po tregojnë taktika më të avancuara, duke integruar edhe Inteligjencën Artificiale në operacionet e tyre ofensive.

Duke përmendur përvojën e Shqipërisë, e cila gjatë vitit 2022 përjetoi një sulm keqadashës, ku u synua hapësira kibernetike e qeverisë dhe e institucioneve të tjera, Karçanaj solli në vëmendje përpjekjen për manipulim të mendimit publik dhe qëllimin e krijimit të konfuzionit për të ulur besueshmërinë tek institucionet qeveritare.

“Sulme siç ndodhën në rastin tonë, nuk janë vetëm operacione shkatërruese, por edhe kërcënime kibernetike të cilat promovojnë ideologji specifike ose agjenda politike të caktuara. Ne ia dolëm të përgjigjeshim dhe të riktheheshim në mënyrën më të sigurt. Departamenti Amerikan i Shtetit, na ndihmoi me ekspertizë në ditët e para pas sulmit. Në këtë aspekt, përpjekjet bashkëpunuese lejojnë një qasje mbrojtëse kolektive, ku organizatat punojnë së bashku për të mbrojtur jo vetëm veten, por edhe ekosistemin më të gjerë, në të cilin ata janë pjesë, u shpreh Karçanaj.

Drejtuesja e AKSHI-t, shfrytëzoi këtë rast për të tërhequr vëmendjen për rëndësinë që ka mënyra se si shtetet e zhvilluara mund t’u vijnë në ndihmë shteteve të vogla, që të ndërtojnë kapacitete, të ndërmarrin masa besimi dhe të ndajnë përvojën e tyre.

“Përdorimi i platformave dhe marrëveshjeve multilaterale, rajonale e bilaterale janë të nevojshme për të shkëmbyer praktika dhe informacion në lidhje me qasjet kombëtare për identifikimin, ndarjen e tipologjive të ndryshme të identifikimit, mbi kërcënime dhe incidente kibernetike. Në nivel ndërkombëtar, shtetet e vogla që janë në zhvillim duhet të inkurajohen të marrin pjesë në ushtrimet e simulimit me qëllim mësimin nga shtetet e zhvilluara”, theksoi Karçanaj.

Këtë mesazh, Karçanaj e përcolli edhe më herët gjatë diskutimit të zhvilluar në Konferencën për Qëndrueshmërinë Kibernetike, organizuar nga Kombet e Bashkuara, në kuadër të aktiviteteve të rëndësishme që po zhvillohen për mbrojtjen në nivel global ndaj rrezikut kibernetik. Kreu i AKSHI-t gjatë dy prezantimeve të saj theksoi se Shqipëria tashmë ka hyrë në grupin e shteteve të rrezikuara, sepse renditet në listën e vendeve të zhvilluara në drejtim të digjitalizimit, me nje klimë optimale avancimi, duke u kthyer në një objektiv të preferuar të kërcënimeve kibernetike.