Portali e-Albania, falë bashkëpunimit me Bankën Botërore, së shpejti do të pësojë rritje cilësore, pasi shërbimet do të rikonceptohen dhe do të bëhen të aksesueshme lehtësisht edhe për personat me aftësi të kufizuar, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

Drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj gjatë një eventi ku u prezantua Plani i Veprimit për Shëndetësinë Digjitale 2023-2030,  theksoi se tani është koha perfekte për t’i përpunuar të dhënat e mbledhura nga sistemeve elektronike të sektorit të shëndetësisë, me qëllim politikat më efektive në dobi të mjekëve, qytetarëve, studiuesve apo kërkuesve.

“Falë punës sonë të përbashkët, mes AKSHI-t dhe ekspertizës së kualifikuar, arritëm të integrojmë sistemet tona elektronike sipas standardeve të Bashkimit Europian. AKSHI jep kontributin për konceptimin, mirëmbajtjen dhe sigurinë e sistemeve, por të dhënat e mbledhura janë të Ministrisë së Shëndetësisë, ndaj e-Health do të kontribuojë në përpunimin e tyre për të ndihmuar ministren në vendimmarrje”, u shpreh Karçanaj.

Me planin e ri të veprimit, -shtoi Karçanaj,-  do të kalojmë në detaje më specifike. Në të gjitha sistemet tona po kërkojmë të zbatojmë Blockchain, me qëllim pandryshueshmërinë e të dhënave të pacientit dhe njoftimin e tij në kohë reale për çdo të re. Do të implementojmë Inteligjencën Artificiale dhe Machine Learning për t’i shërbyer qytetarëve më mirë dhe më shpejt në ato shërbime që janë të nevojshme.

Znj. Karçanaj në fjalën e saj falenderoi Ministrinë e Shëndetësisë për bashkëpunimin ndër vite, duke kujtuar se ishte pikërisht kjo Ministri që besoi fort në sistemet online dhe digjitializimin e shërbimeve shëndetësore, duke sjellë një emancipim dhe ridimensionim të komunikimit mes mjekëve dhe pacientëve.

Edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vlerësoi punën dhe vizionin e AKSHI-t, për modelin e suksesit në bashkëpunimin efikas me qëllim shërbimet cilësore për qytetarët dhe më shumë transparencë dhe llogaridhënie nga punonjësit e kujdesit shëndetësor, ndërsa theksoi se plani shtatvjeçar përshkruan qartësisht objektivat strategjike dhe investimet në sistemet elektronike.

Gjatë pandemisë, Shqipëria ishte vendi i dytë në rajon që mundësoi certifikatën e vaksinës online në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke i krijuar lehtësi të jashtëzakonshme qytetarëve të lëviznin pa pengesa në kushtet ekstreme të krijuara.