Dhurimi i gjakut është një prej gjesteve më solidare dhe bujare që një njeri mund të kryejë gjatë jetës së tij. Prej një akti vullnetar, çdo ditë shpëtojnë jetë njerëzish që gjenden në nevojë emergjente për gjak.  Së bashku me fushatat, nismat apo kontributet individuale, tani në ndihmë vjen edhe teknologjia, me qëllim  rritjen e sigurisë, menaxhimit më të mirë të depozitave të gjakut, inventarizimit të plotë në shkallë vendi dhe adresimit të saktë të nevojave për të.

Sistemi elektronik i Bankës së Gjakut, i krijuar nga AKSHI, si një kërkesë për politika shëndetësore dhe praktika mjekësore moderne, do të ndihmojë bluzat e bardha në menaxhimin e kërkesave dhe nevojave për Bankat e Gjakut për t’i siguruar pacientëve shërbim cilësor, të shpejtë dhe të sigurt. Falë kësaj risie, dhuruesve t’u mundësohet që të rezervojnë vetë për kohën dhe dhurimin e gjakut, si dhe të informohen në kohë reale për  nevojat emergjente për depozita. Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut, me njësinë e saj lëvizëse do të shkojë pranë qendrave të punës, në rast se rezervimi bëhet për disa punonjës njëkohësisht.

Çdo qese gjaku që futet në bankë do të jetë e pajisur me një barcode dhe sistemi i ri garanton sigurimin e automatizimit të plotë të ruajtjes, procesimit, marrjes dhe analizimit të informacionit, që lidhet me menaxhimin administrativ dhe inventarizimin e gjakut dhe produkteve të tij në të gjitha bankat e gjakut dhe spitalet publike ose ato private në Shqipëri.

Nga sot, nëpërmjet portalit e-Albania, qytetarë apo subjekte mund të aplikojnë online për të rezervuar kohën dhe vendin për kryerjen e procedurës së dhurimit; duke nisur fillimisht nga Tirana, Elbasani, Berati dhe Korça për t’u shtrirë shumë shpejt në të gjitha qarqet e vendit. Për t’i dhënë një tjetër mundësi zgjerimit të rrjetit  dhuruesve vullnetarë, teknologjia tashmë mundëson që bankat të shtojnë rezervat e tyre edhe falë njoftimeve elektronike që do t’u mbërrijë dhuruesve periodikë dhe të rinj, në profilet personale në portalin e-Albania, në raste të rrezikut të rënies së nivelit të depozitave sipas grupeve të gjakut. Për ta do të sigurohet edhe një historik i kontributit dhe analizave të kryera që mund ta konsultojnë në çdo kohë, në llogarinë e tyre, në portalin e-Albania.

Si mund të rezervohet nëpërmjet e-Albania?

Përdoruesit zgjedhin shërbimin elektronik “Rezervim për dhurim gjaku për individë dhe subjekte”.  http://bitly.ws/LSXW

Aksesimi mundësohet për qytetar (për rezervim individual) ose, si biznes, në rastin kur rezervimi kryhet për një grup punonjësish të një institucioni, kompanie apo organizate. Për rastin e rezervimit të subjekteve, njësia e QKTGJ-së mbërrin me njësinë e saj lëvizëse në qendrën e punës, duke krijuar lehtësi dhe komoditet për dhuruesit.

Brenda pak sekondash aplikanti plotëson formularin elektronik duke zgjedhur vetë orarin, datën dhe Bankën e Gjakut.

Pas dërgimit të kërkesës për rezervim, elektronikisht mbërrin njoftimi për konfirmimin e kohës dhe vendit planifikuar për dhurim.

Kush mund të dhurojë gjak

Dhurues të gjakut mund të jenë të gjithë qytetarët, nga 18 deri në 65 vjeç, që ndihen plotësisht të shëndetshëm dhe që kalojnë testin e historisë së sëmundshmërisë përpara procesit.

Për të garantuar sigurinë e gjakut të dhuruar, paraprakisht kryhen vizita mjekësore përfshirë edhe analizat specifike të gjakut. Në rast se qytetarët rezultojnë të shëndetshëm, atëherë ata kryejnë procesin e dhurimit të gjakut. Një dhurim i gjakut të plotë zgjat mesatarisht 15 minuta dhe dhuruesi arrin të kompensojë brenda 24 orësh të gjitha lëngjet e humbura nga dhurimi i gjakut. Një akt i thjeshtë, por me vlerë të jashtëzakonshme për jetën e dikujt tjetër.  Ndaj, kushdo që ka mundësi dhe është i shëndetshëm fizikisht mund të rezervojë tani online për të dhuruar gjak e për të shpëtuar e ndihmuar një familjar, mik, fqinj, koleg apo një të panjohur, në kohë të papritura e ditë të vështira.

Dhuroni gjak! Shpëtoni jetë!