Zyrtarisht, nga kjo e enjte, asistenti virtual i e-Albania ndez motorët dhe është në funksion të plotë për çdo pyetje që përdorues të vjetër dhe të rinj kërkojnë të dinë për shërbimet elektronike të institiucioneve publike shqiptare. Me chatbot-in funksional, shënohet hapi i parë i një ndryshimi historik teknologjik që do të përjetojë vendi në vitet e ardhshme falë përdorimit të Inteligjencës Artificiale.

Për ta prezantuar këtë ngjarje të madhe që simbolizon nisjen e një epoke të re në Shqipëri, Linda Karçanaj, drejtuese e institucionit më të rëndësishëm teknologjik në Shqipëri, AKSHI-t, vlerësoi se me asistentin virtual për qytetarët dhe biznesin është mundësuar një zgjidhje e pa ofruar kurrë më parë, që në kohë rekord i përgjigjet pyetjeve që mbërrijnë nga të katër anët, në mënyrë të saktë dhe të qartë, duke kaluar në një tjetër standard të komunikimit shtetit me qytetarët dhe bizneset.

“Asistenti virtual në e-Albania do ta lehtësojë dhe thjeshtëzojë më shumë marrjen e 1237 shërbimeve elektronike, duke shkurtuar kohë dhe duke rritur cilësinë e shërbimit. Sa herë që një qytetar apo një biznes do hapë e-Albanian dhe do kërkojë të marrë një shërbim të caktuar, mund të konsultohet me asistentin e tij virtual. Qytetari mund t’i shkruajë asistentit për shërbimin që do, t’i kërkojë ta ndihmojë në plotësimin e çdo formulari, apo t’i sugjerojë çdo shërbim që mund t’i duhet për punët e përditshme”, u shpreh Karçanaj, duke përmendur faktin risia është mundësuar falë bashkëpunimit me Microsoft, duke aplikuar teknologjinë Azure Open AI.

Jehona e variantit të parë të Asistentit 1.0 do të zëvendësohet shumë shpejt më efektet e një asistenti virtual 2.0, me zë dhë figurë, që do të vihet në zbatim vitin e ardhshëm, për të cilin drejtoresha e AKSHI-t, u shpreh se do të bëhet e mundur ofrimi i shërbimeve të personalizuara dhe proaktive nëpërmjet një komunikimi shumë cilësor, duke shkurtuar ndjeshëm kohën për marrjen e një shërbimi dhe njëkohësisht duke vazhduar ngritjen e standardit të performancës së shtetit, në raport më ofrimin e shërbimeve publike tek qytetarët dhe bizneset.

Aktualisht, asistentit mund t’i bëhen 40 pyetje brenda një ore, për të marrë po një orë tjetër ‘pushim’, me motivacionin e parandalimit të keqpërdorimit të sistemit, si dhe për të mbrojtur performancën e platformës, që patjetër duhet të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme dhe efikase për të gjithë përdoruesit.

Asistenti është një zgjidhje praktike pothuajse perfekte, por mbi të gjitha komunikimi me të është i sigurt sa i takon privatësisë në rrjet dhe mbrojtjes së të dhënave personale.

“Implementimi i Asistentit Virtual është bërë në përputhje me Standardin e Përgjithshëm të Inteligjencës Artificiale të Microsoft dhe GDPR (ligjin e BE-së për Mbrojtjen dhe Kontrollin e të Dhënave Personale), duke siguruar respektin për privatësinë e përdoruesit dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Asnjë bisedë nuk ruhet dhe asnjë e dhënë personale nuk mbahet nga sistemi. Kështu që askush nuk duhet të shqetësohet nga aplikimi i kësaj teknologjie moderne, por përkundrazi të marrë më të mirën prej saj, ashtu sikurse po bëjnë shumë vende të zhvilluara që kanë kryefjalë të zhvillimit të tyre teknologjinë”, u shpreh Karçanaj.

Shqipëria po shkon e sigurt drejt rrugës së digjitalizimit të plotë, për faktin se politikat qeverisëse kanë mbështetur punën dhe zbatimin e planeve afatgjatë në këtë drejtim. Pas digjitalizimit të shërbimeve publike dhe ofrimit të tyre në masën 95% online, ku qytetarë dhe biznese marrin pa u ndalur 1237 shërbime shtetërore, synimi i radhës është përdorimi i Inteligjencës Artificiale në

shumë drejtime. Një ndër to, ndihma për transpozimin e direktivave të BE, kur bëhet fjalë për artilierinë e rëndë të përkthyesve dhe zyrtarëve, puna e të cilëve do të lehtësohet dhe thjeshtëzohet ndjeshëm. Në tablo më të përgjithshme, Shqipëria do të mund të realizojë hap të jashtëzakonshëm brenda pak kohësh, ndërsa një vendi tjetër të rajonit, Kroacisë, i janë dashur plot 7 vite. Inteligjencën Artificiale do ta gjejmë edhe në sistemin e Prokurimeve Publike, për t’i dhënë fund cdo mundësie sado të vogël për padrejtësi, korrupsion dhe afera të dyshimta. Persektiva është shtet plotësisht i digjitalizuar, që e kërkon koha, e kërkon qytetari, e kërkon biznesi, e kërkon Europa, atje ku duam të jemi pjesë dhe partnerë për të ardhmen.