Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) është duke punuar intensivisht me Bankën Botërore për zhvillimin e mëtejshëm të qeverisjes elektronike dhe digjitalizimit të administratës publike, me qëllim përmirësimin e aksesit të qytetarëve dhe bizneseve si dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike elektronike.

Në këtë kuadër, përmes programit “Rritja e barazisë në përdorimin e shërbimeve publike me standard të lartë përmes teknologjive në qeverisje (GovTech)”, i cili do të fillojë prej vitit 2023, do të punohet për të përmirësuar platformën e-Albania dhe infrastrukturat mbështetëse të saj, duke sjellë funksionalitete të reja për qytetarët dhe bizneset në përfitimin e shërbimeve publike si dhe do të investohet në rritjen e aftësive bazë dhe atyre të avancuara digjitale për popullatën.

Në funksion të përgatitjes më të mirë të projektit, ju ftojmë të jepni kontributin tuaj duke qenë pjesë në konsultimet publike të tre dokumenteve të mëposhtme të punës:

–          Plani i angazhimit social dhe mjedisor

–          Procedurat e menaxhimit të punës

–          Plani i angazhimit të palëve të interesuara

Qëllimi i konsultimeve publike është për të mbledhur këndvështrime dhe ide nga shoqëria civile me synim rritjen e përfshirjes së përfituesve fundorë (qytetarët dhe bizneset).

Ne vijim gjenden për konsultim tre dokumentet e sipërcituara. Sugjerimet dhe rekomandimet tuaja mund të dërgohen në mënyrë elektronike në adresën info@akshi.gov.al deri më datë 15 dhjetor 2022.