Organizata Botërore e Shëndetësisë mblodhi në Danimarkë, në datat 30 nëntor -2 dhjetor, takimin e tretë të Rrjetit Digjital Shëndetësor të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku u diskutua Plani i Veprimit 2023-2030 në nivel europian.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, e cila përfaqësoi Shqipërinë në takim, ishte pjesë e diskutimeve për etikën e përdorimit të inteligjencës artificiale në sistemet shëndetësore, duke ndarë me të pranishmit zhvillimet inovative në sektorin e shëndetësisë në vendin tonë dhe projektet më të rëndësishme që janë zbatuar dhe po zhvillohen në vijim.

Pjesëmarrës ishin ekspertë nga vende të ndryshme të Ballkanit dhe Europës me qëllim prezantimin e prioriteteve në digjitalizimin e shëndetësisë, por edhe evidentimin e problematikave dhe ndarjen e sugjerimeve të ndryshme mbi të cilat OBSH-ja mund të ofrojë mbështetjen e saj.

Në takimin pararendës të muajit maj, Shqipëria mori vlerësime për krijimin dhe mirëfunksionimin e sistemeve digjitale shëndetësore, si për lehtësimin e komunikimit mes mjekëve dhe pacientëve, ashtu edhe për zbatimin e teknologjive të fundit në shëndetësi.