“Lehtësi në aksesin dhe përdorimin e shërbimeve elektronike të e-Albania”

Qeveria shqiptare dhe institucionet publike kryesore kanë ndërmarrë në ditët e para të muajit janar një fushatë anketimi publik, ku po përfshihen të gjitha grupet e interesit, për hartimin e masave prioritare të Planit të Veprimit Kombëtar, të Partneritetit për Qeverisje të Hapur për dyvjeçarin e ardhshëm (2022 – 2024).

Për këtë motiv, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka ftuar organizata të shoqërisë civile, shoqata për Personat me Aftësi të Kufizuar (PAK), startup-e, studiues, akademikë e pedagogë që të japin opinione dhe sugjerime të ndryshme, përmes një pyetësori publik, për qeverisjen digjitale në Shqipëri, e-Albanian, si dhe për portalin opendata.gov.al.

Në një takim online të zhvilluar sot, mes zyrtarëve të AKSHI-t dhe përfaqësuesve të shoqatave të PAK-ut, u diskutua rreth lehtësirave që do të kenë personat me aftësi të kufizuara, në përdorimin e shërbimeve elektronike të portalit e-Albania, të cilat do të përshtaten për këtë fashë të popullsisë, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Drejtoresha e Inovacionit pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Romina Kostani, siguroi se grupet e interesit do të jenë pjesë integrale e punës, për bashkëhartimin e akteve ligjore dhe testimeve të vazhdueshme të shërbimeve, me qëllim krijimin e një produkti final efektiv dhe të dobishëm për këtë pjesë të popullsisë.

“Standardet ndërkombëtare të aksesueshmërisë i kanë të ndara me kategori përdoruesish, të gjithë grupet e personave me aftësi të kufizuara. Me mbështetjen dhe këshillimin tuaj, ne do të implementojmë në portal, të gjitha ndryshimet që do të ndihmojnë kategorinë PAK që të jetë e pavarur në përdorimin e shërbimeve elektronike të portalit e-Albania”, u shpreh Kostani.