Me ofrimin e shërbimeve online në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, merr fund epoka e zbarritjeve, e korrupsionit dhe mikut.

Nga 3 korriku, portali e-Albania do të jetë dritarja e vetme e komunikimit të publikut për çdo shërbim në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe askush nuk do të ketë më akses fizik, duke kaluar zyrtarisht në fazën finale të transformimit digjital të saj.

Kryeministri Edi Rama, i cili dha lajmin e mirë për të gjithë qytetarët që kanë raste të zvarritura ndër vite për çështjen e pronave, një plagë e stërzgjatur prej së cilës shoqëria lëngon ende, theksoi se me transformimin e Kadastrës, çdo rast do të trajtohet sipas radhës pa njohur as mikun, as ryshfetin, por vetëm drejtësinë që e garanton teknologjia.

“Nuk ka pushtet njeriu që mund ta bëjë punën që bën digjitalizimi. Kompjuteri nuk ka nevojë as për parti, as për shoqëri dhe nuk do t’ia dijë se kush është pas një kërkese. Sot është një ditë shumë e mirë për të shënjuar këtë ndryshim rrënjësor. Kadastra tani është një dritare vetëm përmes e-Albania dhe aty do të bëhen aplikimet, aty merren përgjigjet, aty vjen dokumenti me vulën elektronike e me nënshkrimin elektronik, i pandryshueshëm, i paminipulueshëm, i patjetersueshëm”, u shpreh kryeministri Rama.

Kryeministri e cilësoi si një të shkuar të tmerrshme historinë me Kadastrën shqiptare, me harta të konsumuara nga palosjet dhe çpalosjet, me tituj pronësie të lëvizshëm e me mbivendosje pronash nga papërgjegjshmëria e plotë e çdokujt që kontribuoi për dëmtimin e dokumenteve të pronës.

“Kadastra është bankë,njësoj si Banka Qendrore e Republikës së Shqipërisë, është njësoj si një bankë e nivelit të dytë ku mbahen kursimet e qytetarëve dhe ku garantohen ndërvperimet e tyre me para. Kadastra është penguar në radhë të parë nga deputetë, ministra, kryetarë bashkish, që i kanë dhëne vetes të drejtën të interferojnë me Kadastrën për punësime dhe manovra të tjera”, u shpreh Rama.

E pranishme në takim, së bashku me kreun e ASHK-së, deputetë, ministra, kryetarë bashkish, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçanaj, e cila vuri theksin, ndër të tjera, se automatizimi dhe digjitalizimi i Kadastrës ishte rruga e vetme dhe një kusht i padiskutueshëm i vendosur nga kryeministri. “Teknologjia na vjen në ndihmë vetëm pasi t’ja kemi dalë të ndryshojmë dhe mendësinë e shoqërisë, ç’ka tashmë e kemi arritur”.  Më tej Karçanaj, falenderoi drejtuesen e ASHK-së, Dallëndyshe Bicin për bashkëpunimin me AKSHI-n në këtë proces kaq shumë të rëndësishëm për qytetarët shqiptarë.

E ndërsa permendi se si në vitet e fundit, falë sistemeve të ngritura, shteti mundësoi ofrimin e dokumenteve të pronës me vulë dhe nënshkrim elektronik, drejtoresha e AKSHI-t listoi gjithë proceset kryesore të punës dhe për zhvillimin dhe përmirësimet e vazhdueshme në aspektin e zbatimit të teknologjisë, si dhe njoftoi publikun për risi të tjera që do të ndodhin shumë shpejt.

“Ia dolëm të përmirësojmë teknologjinë dhe 74 shërbimet e Kadastrës. Kemi vënë në zbatim konceptin se kush vjen i pari merr shërbimin i pari. Tashmë askush nuk mund të ndërhyjë fizikisht të bëjë  më asnjë ndryshim apo përpjekje për të zhvendosur radhën e trajtimit të rasteve të qytetarëve. Kemi shmangur kështu mundësinë e abuzimeve që mund të bëjnë  zyrtarët e Kadastrës, që shtynin punën me arsyetimin se po kërkonin verifikimin. Tani,çdo gjë është e monitorueshme në sistem. Kemi zbatuar formën e shërbimit emergjent, kundrejt një pagese, plotësisht të monitorueshme. Paratë nuk shkojnë në xhepin e ndonjë punonjësi apo zyrtari por në buxhetin e shtetit dhe do të shërbejnë për përmirësimin e procesit të punës dhe përmirësimin e infrastrukturës. Kemi unifikuar sistemin multifunksional të integruar. Është e pamundur të bësh ndërhyrje të paautorizuar në sistemin e pronës, ndërsa vula me bojë i përket së shkuarës, për t’u zëvendësuar njëherë e mirë nga vula e nënshkrimi elektronik në çdo dokument”, theksoi Karçanaj.

Falë përdorimit të teknologjisë moderne, transaksionet e të dhënave të pronës ruhen në Blockchain. Kjo lloj teknologjie do ta aplikohet edhe në arkivat digjitale duke i vënë vulën e besueshmërisë çështjes së pronës. Sisistemi është përshtatur me proceset e riinxhinierizimit, duke e kthyer këtë sistem në shefin e vetëm të zonës.

Karçanaj njoftoi gjithashtu qytetarët shqiptarë se shumë shpejt do të nisë pilotimi për Kadastrën 3D, për informacion të plotë gjeo-juridik të pronës, jo vetëm në ndihmë të qytetarëve, por edhe si një ndihmë e madhe në planifikimin e zonave urbane.