AKSHI pjesëmarrës në tryezë rajonale

Shqipëria ka avancuar përpara dhe e sigurt në fushën e digjitalizimit falë vullnetit politik dhe mbështetjes së vazhdueshme të qeverisë. Ngjarje të mëdha, si ajo e pandemisë prej COVID-19 bënë që qytetarët ta përqafonin më lehtë komunikimin elektronik me institucionet publike.

Kështu u shpreh drejtoresha e Inovacionit, pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit Romina Kostani, gjatë një tryeze dyditore rajonale, me fokus shërbimet publike dhe digjitalizimin e plotë të tyre, organizuar nga Fondacioni Metamorfozis në bashkëpunim me lëvizjen “Mjaft”, në kuadër të projektit “Rritja e pjesëmarrjes qytetare në Agjendën Digjitale – ICEDA”, mbështetur nga Bashkimi Europian.

Pasi vuri theksin tek situata aktuale në Shqipëri, ku 95 për qind e shërbimeve publike janë plotësisht të digjitalizuara, Kostani sqaroi të pranishmit se falë 1225 shërbimeve elektronike që gjenden në portalin qeveritar e-Albania, kryhen përditë me qindra aplikime nga qytetarët shqiptarë brenda e jashtë kufijve, nga biznese, si dhe nga vetë punonjës të administratës publike. “Gjenerimi i dokumenteve tashmë është në kohë reale, pa pagesë dhe i gjithë ky ndryshim madhor ka ndodhur vetëm brenda pak vitesh. Revolucioni dixhital ka sjellë më vetë ndryshime dhe transformime të jashtëzakonshme”, theksoi Kostani.

E pranishme në ditën e dytë të takimit, ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi, vlerësoi punën kolosale të AKSHI-t, pasi tashmë janë identifikuar të gjitha shërbimet e shtetit dhe janë riinxhinierizuar të gjitha proceset. “Sot është fakt se sistemet ndërveprojnë me njëri-tjetrin për reduktimin e dokumenteve shoqëruese e një shembull mjaft i mirë është rasti i skemës rimbursuese me naftë për fermerët, të cilët pasi plotësojnë një formular rutinë, nuk kanë nevojë të dorëzojnë asnjë dokument tjetër shoqërues për të përfituar nga subvencionet”, theksoi Ekonomi.